Kamberi shënon golin e parë me Rangers

Kamberi shënon golin e parë me Rangers

07:20 25/02/2020

Sulmuesi: Jam gati të ndihmoj ekipin

Florian Kamberi dha sinjalin e parë që mund të bëjë shumë për Rangers. Sulmuesi shqiptar realizoi gol dhe dha pasimin për një tjetër në barazimin 2-2 në fushën e Saint Johnstone në javën e 28 të kampionatit skocez. Kamberi hyri në fushë në fillimin e pjesës së dytë, duke treguar menjëherë cilësitë tij, por gjithsesi në deklaratën në fund të ndeshjes tha se ishte pjesërisht i kënaqur.

“Jam shumë i lumtur që shënova golin tim të parë, por për fat të keq nuk jam i lumtur si do të dëshiroja, pasi nuk morëm 3 pikët. Trajneri njeh cilësitë e mia, ka besim tek unë dhe çdo herë që kam mundësinë, nëse janë 45 minuta apo 5 minuta nuk ka rëndësi, do të mundohem të bëj gjithçka për të ndihmuar skuadrën”.

Vlerësimin për Florian Kamberin e dha edhe trajneri Steven Gerrard.

“Të gjithë duhet të flasim sot për Florian Kamberin. Ai ishte i jashtëzakonshëm kur hyri në fushë”.

Florian Kamberi u transferua te Rangers në formë huazimi gjatë janarit. 24-vjeçari debutoi edhe në Europa League pak ditë më parë në sfidën me Braga.

Tv Klan




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi