Pas Shkodrës, aksion për heqjen e tyre dhe në Vlorë

Policia e Shtetit ka nisur verifikimin e kamerave të sigurisë që dyshohet se janë instaluar dhe përdoren nga grupet kriminale.

Tv Klan u interesua pranë uniformave blu, ku mësoi se pas Shkodrës strukturat e policisë po verifikojnë kamerat në të gjithë qytetet e vendit ku ka indicie se janë vendosur pa lejen e autoriteteve.

Vlora ka qenë qarku i radhës, ku është shtrirë ky operacion.

Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se prej mëngjesit të kësaj të enjte në qytetin bregdetar janë duke u verifikuar dhjetëra kamera, disa prej të cilave janë bllokuar.

Aksioni i ndërmarrë vjen një ditë pasi në qytetin e Shkodrës, u çmontuan 38 kamera që dyshohet se ishin instaluar nga grupet kriminale në lagjet “Guerrile”, “Salo Halili” dhe “Kongresi i Përmetit”.

Për gjetjen e personave që i kishin vendosur ato në këto zona, në polici janë shoqëruar disa persona por dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit. Identifikimi i personave të cilët kanë vendosur këto kamera është një mision tejet i vështirë për policinë, pasi komandimi i tyre bëhej përmes celularit.

Sipas uniformave blu qëllim I instalimit të këtyre kamerave ishte sigurimi i informacioneve për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë.

Tv Klan