Qytetari denoncon vjedhjen, institucionet bëjnë sehir

Një qytetar ka denoncuar pranë emisionit Stop në Tv Klan vjedhjen e kalit, një kafshë me të cilën siguron jetesën. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Derragjat të Shkodrës më 15 Shtator 2020.

Vjedhja e kalit është filmuar edhe nga kamerat e sigurisë, ku duken 2 persona të cilët e marrin. Qytetari ka bërë denoncim në Komisariatin e Policisë së Shkodrës, mirëpo me hetimet nuk ka patur asnjë zhvillim. Dy personat që kanë vjedhur kalin, edhe pse shfaqen në video, nuk është arritur ende që të identifikohen.

Florjan Halicukaj: Kalin e kam çuar për të kullotur rreth orës 13:00 dhe kam vërejtur pas 2 orësh që kali nuk ndodhet. Për 4-5 ditë kam kujtuar se ka humbur. Kemi kontrolluar fshatrat edhe asgjë. Pas kemi hapur kamerat e sigurisë edhe doli që kali është vjedhur. Keni bërë denoncimin në polici edhe prej asaj dite deri më sot asnjë gjë. Prej 10 vitesh e kisha këtë kalë edhe kryente punët e fshatit, mbaja familjen me të. Vlera është 800 mijë Lekë – 1 milionë Lekë. I njohim personat, nuk i njohim ato fytyra. Kërkesa ime është që të më kthehet kali mbrapsht se unë e kam mjet jetese për të mbajtur familjen.

I plotfuqishmi i zonës, inspektori Naz Beqiri, gjatë një bisede në telefon me gazetaren e emisionit Stop, Domenika Bajraktari, thotë se procedimi penal për këtë ngjarje ka nisur, por sipas tij, grabitësit nuk janë banorë të zonës.

Ka filluar procedimi ndaj tërheqjes së kalit. Nuk janë të zonës time, prandaj video është shpërnda. I shpërndajmë nëpërmjet grupit që kemi ne. Deri tani s’kemi arrit me një përfundim. Është dhënë kallzimi, personi ka dhënë kallzimin për vjedhjen e kalit, materialet janë referuar në Prokurori. Po e shohim tani si po ecin hetimet. Zona që mbuloj, me informacionet, që kemi, nuk janë të zonës. Të ishte bërë identifikimi, do të ishin ndaluar ata. Se nuk është bërë, nuk është konkloduar në përfundim. S’janë njoft personat akoma”.

Gazetarja e emisionit Stop ka shkuar në Komisariatin e Policisë së Shkodrës, por aty është përballur me një tjetër problem, sjelljen e punonjësve të policisë që duhet të jenë në shërbim të qytetarit. Punojësit e policisë së këtij komisariati nuk e lejuan gazetaren të hynte në ambientet e brendshme për të marrë informacion për këtë çështje dhe për t’u takuar me zëdhënësen për media, por nuk ja dolën.

Gazetarja: Shefi në radhë të parë mbyllët derën, që nuk është normale të mbyllni derën. Në radhë të dytë jam media dhe e drejta e informimit prevalon. Në radhë të tretë kam të drejtë, jo vetëm të futem në këtë institucion, por madje të takoj dhe drejtuesin.

Punonjësi 1: Pa leje jo!

Gazetarja: Çfarë leje? Çfarë nënkuptoni me leje?

Punonjësi i policisë: Ne komunikojmë me zëdhënësen. Zëdhënësja komunikon me ju.

Gazetarja: Ku është zëdhënësja, zëdhënësja duhet të më presë në zyrë, jo në rrugë!

Punonjësi i policisë:I keni ngatërru punët, si me të lënë unë ty…

Gazetarja: Po, po të më lësh, se nuk jam keqbërëse e institucionit!

Punonjësi i policisë: S’më duhet gjë. Atje te Klani nuk mundem me u fut unë.

Gazetarja: Klani është privat, ti je në Komisariatin e Policisë.

Punonjësi i policisë: Se jam shtet, ti nuk mundesh të futesh e të dalësh, sa herë të mbushet mendja!

Gazetarja: Po, Po, Po!

Punonjësi 2: E ke kuptu gabim.

Gazetarja: Shumë gabim e keni kuptuar ju. Vendose maskën, mbuloje dhe hundën, sa për informacion!

Punonjësi i policisë: O zonjë, hajde këtu!

Gazetarja: Ore zotëri, mua nuk më thua dot hajdee këtu dhe nuk më nxjerr dot jashtë!

Punonjësi i policisë: Ti nuk bëhesh Zot shtëpie të shtëpia ime!

Gazetarja: Nuk është shtëpia jote.

Punonjësi i policisë: Hajde dil përjashta! Hajde vrap!

Gazetarja: Hajde më nxirr përjashta, më nxirr!

Punonjësi i policisë: Të nxjerr edhe përjashta, s’e kam problem të lë dhe punën për atë punë.

Punonjësi i policisë: Je femër, kur i thojnë edhe…,se kam vajzën sa ti.

Gazetarja: A mendon, që më nxjerr, më nxirr!  Po nuk më nxjerr dot.

Pas debatit me punonjësit e policisë, gazetarja hyri në komisariat dhe u takua me zëdhënësen e policisë.

Gazetarja: Është bërë një denoncim tek Kujtim Balia(opgj), janë dorëzuar dhe pamjet filmike.

Zëdhënësja: Çfarë është vjedh, dhe njëherë të lutem?

Gazetarja: Kali.

Ndërsa Oficeri i Policisë Gjyqësore, Kujtim Balia, në një bisedë telefonike me gazetaren e Stop thotë se materialet janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe pamjet i janë shpërndarë të gjithë punonjësve të policisë.

“Është marrë denoncimi, janë referuar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, janë shpërndarë materialet filmike të gjithë punonjësve të policisë. Në proces është, në proces verifikimi. Nuk është bërë akoma identifikimi”.

Pamjet filmike të kamerave të sigurisë, emisioni Stop ia tregoi ekspertit të kriminalistikës Artan Rexhepi, i cili analizoi shumë detaje që mund të sjellin zbardhjen e ngjarjes. Sipas tij, në këtë rast kemi të bëjmë me neglizhencë.

Thjesht nga një kqyrje që i bëmë videos, mundësitë e zbulimit janë jashtëzakonisht të larta. Mundësitë e zbulimit fillojnë që nga vendi që ka ndodhur, që është fshati, pra numri i personave të dyshuar për t’u lokalizuar është shumë i vogël. Nga video, nëse nuk arrin në identifikim të plotë të syve, të fytyrës etj., mund të nxjerrësh shumë gjëra me vlerë për hetimin; gjatësia, mosha e personave të dyshuar, koha kur ka ndodhur. Pra, mjafton që 3, 4, 5, 10 persona të dyshuar mund t’ju merren tabulatet e celularëve, të gjendet lokalicionet ku janë ndodhur dhe mbaroi ngjarja kaq është, e zbuluar. Ka neglizhencë ndoshta, e quajnë kështu vjedhje kali asgjë dhe nuk e dinë që krimet kështu fillojnë, nga vjedhje kali, vjedhje veture pastaj përfundojnë në kriminelë”.   /tvklan.al