Të paktën 7 persona kanë humbur jetën dhe 20 të tjerë janë plagosur mëngjesin e së dielës kur furgoni me të cilin po udhëtonin është përplasur kokë-më-kokë me një kamionçinë.

Aksidenti i rëndë ka ndodhur në juglindje të Turqisë, në distriktin Oguzeli të Provincës së Gaziantepit. Media turke raporton se furgoni ishte i tejmbushur me punëtorë sezonalë që po shkonin për të mbledhur lajthi.

Si pasojë e përplasjes së fortë të dy automjeteve 4 persona humbën jetën menjëherë në vendin e ngjarjes.

Në vendngjarje mbërritën xhandarmëria dhe ambulanca të shumta, të cilat transportuan të plagosurit në spitale. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 3 punëtorë të tjerë humbën jetën si pasojë e plagëve të rënda. Policia po heton për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit./tvklan.al