“Provë e bashkëpunimit me krimin”

Partia Demokratike me anë të ish-deputetit, Enkelejd Alibeaj, ka hedhur akuza kundër Policisë së Shtetit, lidhur me kapjen e kampionit me 2.6 tonë drogë në Malin e Zi. Në një deklaratë nga selia blu, Alibeaj tha se kamioni ka kaluar në gjithë territorin shqiptar, por sipas tij nuk i ka “hyrë gjemb në këmbë”.

 “Kjo ngjarje risjell edhe një herë në kujtesën e shqiptarëve vitet e errëta 2014-2017 të qeverisë Rama kur vendi u shndërrua në plantacion gjigand droge e kur sasi të tilla masive përshkonin territorin shqiptar, vite kur policia shqiptare ishte bashkëpunëtore dhe mbështetja e këtij trafiku ishte deri në rangje qeveritare”, shprehet ai.

Ish-deputeti demokrat shton se ngjarja po mbahet e fshehtë nga qeveria “duke e kaluar me një njoftim të thatë, është provë e qartë, se qeveria e Ramës, vetëm ‘qimen e bardhë ka ndërruar, por zakonin nuk e ka harruar’”.

Po ashtu ai shton se kjo ngjarje, tregon në rastin më të mirë, se Policia e Shtetit është tërësisht e shpartalluar dhe se nuk ka kurrëfarë kontrolli mbi territorin dhe mbi fenomenin kriminal të drogës që është plaga me e madhe që e ka bërë Shqipërinë të lëngojë nën qeverisjen Rama.

Ndërsa sipas tij në rastin më të keq, tregon se policia është bashkëpunëtorë me krimin. “Policia e shtetit e rënë në duart e njerëzve që dallohen për bashkëpunimin me krimin dhe trafiqet, nga njëra anë e kanë shpartalluar me qellim atë, e nga ana tjetër, pasi e kanë paralizuar praktikisht, krerët e saj janë aksionerët kryesorë në trafikun e drogës”, vijon ish-deputeti.

Në fund ai u bën qytetarëve që të votojnë kundër qeverisë në 25 prill, që vendi të mos izolohet nga bota./tvklan.al