Të paktën 15 punëtorë emigrantë, të cilët po flinin në anë të një autostrade, humbën jetën në mënyrë tragjike, pasi u shtypën nga një kamion. Ngjarja e rëndë ndodhi orët e para të së martës në shtetin perëndimor të Gujarat, në Indi. Sipas asaj që shkruan BBC, 6 të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Shoferi i kamionit mësohet se humbi kontrollin pasi u përplas me një traktor.

Viktimat ishin nga shteti verior i Rajasthan dhe po flinin pas një dite pune. Zyrtarët thanë se po hetonin ngjarjen dhe se të plagosurit po trajtoheshin në një spital pranë qytetit të Surat.

Për ngjarjen reagoi edhe kryeministri indian Narendra Modi, i cili tha se humbja e jetëve ishte tragjike.

Nuk është diçka e pazakontë të shohësh punëtorë emigrantë të cilët flenë nëpër rrugët e qyteteve indiane, shpesh të rrezikuar pikërisht nga aksidentet rrugore që mund të ndodhin.

Por ata nuk janë të rrezikuar vetëm nga makinat… 16 persona humbën jetën vitin e shkuar, pasi u shtypën nga treni në shtetin e Maharashtra.

Ata ishin nisur në këmbë drejt stacionit, me shpresën se do të kapnin një tren për të shkuar në shtëpi, ndërkohë që India kishte vendosur masa shtrënguese për shkak të pandemisë, por rrugës i kapi lodhja dhe i zuri gjumi në shina./tvklan.al