Kamioni ku u gjetën 294 mijë euro, me destinacion Lushnjen



Kamioni ku u gjetën 294 mijë euro, me destinacion Lushnjen

15:55 14/11/2020

Shoferi i kamionit mohon akuzat, pronari në kërkim

Të tjera detaje dalin në dritë pas sekuestrimit të rreth 294 mijë eurove që u gjetën të fshehura në kabinën e një kamioni në portin e Durrësit. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kamioni ku u gjetën paratë, destinacionin përfundimtar e kishte në qytetin e Lushnjes. Hetuesit kanë dyshime se shuma e parave që u gjet në kamionin që drejtohej nga 29-vjeçari Ferdinant Mirukaj do i dorëzohej grupeve kriminale që operojnë në Shqipëri, në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Kamioni transportonte automjete nga Ankona e Italisë në drejtim të qytetit të Lushnjes, ndërsa pakot e parave mbanin mbishkrime të rajoneve të Bolonjës dhe Ankonës. Për këtë hetuesit kanë kërkuar edhe bashkëpunim me autoritetet italiane, ndërsa kanë dyshime se grupi kriminal ushtron aktivitetin në veri të Italisë.

Gjatë marrjes në pyetje, Mirukaj ka mohuar të ketë patur dijeni se në kamionin që ai drejtonte të kishte para, ndërsa gjatë kontrollit policia zbuloi në kabinë shumën prej 282, 265 euro. Po kështu kolegut të tij, 34-vjeçarit Aldo Lika, policia i gjeti në një çantë personale 11,765 euro të padeklaruara. Në lidhje me këtë ngjarje është shpallur në kërkim edhe 36-vjeçari Erjon Jovani, pronari i kamionit ku ishin fshehur paratë. Jovani është një emër i njohur për drejtësinë, pasi në 2016-n ka tentuar të trafikojë një sasi prej 190 kg kanabis.

Tv Klan







Të ngjashme