Policia Shqiptare ka marrë pjesë në operacionin për ngarkesën e madhe të kokainës që kishte për destinacion Maqedoninë e Veriut.

Kamioni me 1.3 ton kokainë që u kap në Maqedoni, hyri në Shqipëri nga pika kufitare e Hanit të Hotit përmes Malit të Zi dhe doli nga vendi ynë nga dogana e Qafë Thanës drejt Maqedonisë së Veriut.

Policia e Shtetit thotë se për hyrjen e kamionit me drogë ishte në dijeni dhe ka bërë vëzhgimin gjatë gjithë kohës që mjeti ka kaluar në territorin shqiptar.

Në operacionin, që synonte dorëzimin e kontrolluar të një sasie të madhe kokaine, morën pjesë edhe strukturat e Policisë Shqiptare, të cilat mundësuan kalimin e dërgesës nga Mali i Zi nëpërmjet territorit shqiptar drejt Maqedonisë së Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti.  Ky operacion përbën një tjetër angazhim serioz të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe një dëshmi tjetër të besimit të partnerëve të saj në këtë luftë”, thotë Policia e Shtetit në një njoftim për mediat.

 Në këtë operacion merrte pjesë DEA amerikane, policia italiane, shqiptare dhe ajo maqedonase. Brenda kamionit në Maqedoni kishte vetëm 1 kg kokainë, ndërsa sasia e konsiderueshme prej 1.3 ton ishte hequr nga autoritetet italiane dhe brenda kutive të bananeve ishte vendosur GPS. /tvklan.al