Kamioni me drogë në Mal të Zi, Policia e Shtetit: Po hetojmë për të gjetur vendin ku u ngarkua me kanabis

Kamioni me drogë në Mal të Zi, Policia e Shtetit: Po hetojmë për të gjetur vendin ku u ngarkua me kanabis

20:38 03/11/2020

Policia e Shtetit ka dhënë informacion për kamionin me mbi 2 ton kanabis që u kap në Malin e Zi dhe u arrestua shoferi shqiptar Elvis Çalik 40 vjeç.

Sipas Policisë së Shtetit, kamioni ishte ngarkuar me fruta-perime në Greqi dhe më pas kishte hyrë në Shqipëri përmes doganës së Kapshticës. Prej këtej doli nga vendi ynë drejt Malit të Zi nga pika kufitare e Hanit të Hotit.

Por ende nuk dihet se ku e kishte marrë ngarkesën me drogë 40-vjeçari shqiptar.

“Mëngjesin e sotëm, në vendkalimin kufitar Hani i Hotit (Bozaj), shërbimet policore dhe ato doganore të Malit të Zi, gjatë kontrollit të një kamioni tranzit, kanë gjetur të fshehur brenda ngarkesës me fruta-perime, një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të dyshuar marijuanë. Kamioni që drejtohej nga shtetasi E. C. ishte ngarkuar me fruta-perime në shtetin grek dhe kishte hyrë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, tranzit për në vendet e BE-së. Policia e Shtetit, pas shkëmbimit të informacioneve paraprake me homologët malazezë, ka dërguar në Malin e Zi, një grup specialistësh të Hetimit të Narkotikëve, me qëllim kryerjen e hetimeve të përbashkëta dhe përcaktimin e origjinës se nga është marrë lënda narkotike”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

/tvklan.al



Të ngjashme