Ceremonia e nderimit me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike” për kampionin e karatesë në Lojërat Europiane, Alvin Karaqi është zhvilluar ditën e sotme. I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili është shprehur se Alvin Karaqi është një model frymëzimi për të rinjtë. Në mbyllje të ceremonisë, kryeministri Rama i ka dorëzuar kampionit Alvin Karaqi “Yllin e Mirënjohjes Publike”.

Edi Rama: Mirë se erdhët për të kremtuar një tjetër kampion, një tjetër shembull të jashtëzakonshëm për të gjithë. Në rastin e Alvinit, një kampion që ka një veçanti të madhe sepse ndërkohë që arrin të ngjitet në majë të kompeticionit të vështirë dhe sfidues ndërkombëtar në sportin e tij, është edhe një shërbëtor i palodhur i shëndetit të njerëzve si mjek në Zvicër, ku standardet janë ndër më të lartat në botë dhe ku profesionistët që ushtrojnë profesionet, janë ndër më të mirët në botë.

Alvini përbën një shembull frymëzues dhe të jashtëzakonshëm për këdo që në rrugën e pasionit të vet, është i gatshëm të sakrifikojë dhe të angazhohet pavarësisht mundit dhe vështirësive dhe jeton, merr frymë, ushqehet me idenë e ngjitjes në majë dhe të të qenit fitimtar. Më ka bërë përshtypje, dashuria e tij pasionante për atdheun dhe të jetuarit e tij me flamurin kuqezi si me një pjesë të vetes, si në lëkurën e tij të dytë. Alvini është dhëndri që çdo vjehërr do të donte të kishte. Nuk jam kandidati për t’u bërë vjehrri i Alvinit sepse një vajzë që kemi, e kemi të zënë, por jam i bindur se është në këtë aspekt, ai është një djalë shumë i veçantë. Më ka bërë përshtypje se si flet për prindërit.

Jam shumë i privilegjuar dhe me fat që sot, për shkak të detyrës, jam këtu në këtë podium për t’i shprehur Alvinit dhe familjes së tij, mirënjohjen, respektin dhe gatishmërinë tonë për të ndihmuar me aq sa mundemi të ndihmojmë, të gjithë sportistët tanë për të cilët nuk besoj se e ekzagjeroj po të them se janë sot në kushte krejt të reja. Sot, mund ta themi se Shqipëria e vogël që nuk është ndër vendet e pasura, ju ofron kampionëve një mbështetje që pak vende e kanë, sidomos në këto sporte që nuk hyjnë në industrisë e mëdha të sportit, siç është futbolli.

Në mbyllje, dua të them se prania jote sot është shumë e rëndësishme për ne këtu. Ti je shëmbëlltyra e flamurit tonë kombëtar dhe me gjithë zemër të uroj shëndet në radhë të parë, të uroj që të jesh i rrethuar nga dashuria dhe respekti.

Rama: Kampionët e Shqipërisë të integrueshëm në Forcat e Armatosura deri në fund të jetës

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka thënë se kampionët e Shqipërisë janë të integruar ose të integrueshëm në të nesërmen në Forcat e Armatosura deri në fund të jetës së tyre dhe kanë pensionin e garantuar si ish-ushtarak.

Edi Rama: Alvini nuk ka nevojë të përfshihet në Forcat e Armatosura si kampion sepse ai jeton me profesionin e tij të mjekut, por të gjithë sportistët që arrijnë në këto nivele, nuk kanë më asnjë dilemë, asnjë ankth, asnjë frikë për të ardhmen e tyre në jetën që vazhdon pas aktivitetit sportiv, siç ka ndodhur me kampionë të spikatur shqiptarë që janë gjendur në kushte braktisje për shkak se askush nuk ka menduar për ta. Kjo është një kohë që e kemi lënë pas dhe të gjithë kampionët tanë janë të integruar ose të integrueshëm në të nesërmen në Forcat e Armatosura deri në fund të jetës së tyre dhe kanë pensionin e garantuar si ish-ushtarak, në kushtet që ne po e rrisim financimin për ish-ushtarakët tanë. Do të vazhdojmë ta rrisim mbështetjen për ata që të ndjehen të respektuar në uniformën e FA të Republikës së Shqipërisë.

U përmend epoka e re me lëvizjen sportive në shkolla. Kur ne kemi marrë detyrën, Shqipëria vinte pas 20 e kusur vitesh të braktisjes së plotë të eduktimit fizik në sistemin e shkollës. Ne filluam me ringjalljen e edukimit fizik në shkollë. Tanimë, kemi një fond të përvitshëm të Komitetit Olimpik Shqiptar që do të shtrihet në shkolla. Ka shumë rëndësi për një vend dhe për një shoqëri që të gjithë fëmijët të kenë mundësi të zhvilllojnë dhe aktivitet fizik, të jetojnë një pjesë të ditës me sportin, bëhen më të fortë dhe qytetarë më të mirë, më socialë, më të përgatitur për të bashkëjetuar me të tjerët.

Jam i bindur se duke ecur në këtë drejtim, do të shohim frytet e kësaj lëvizje edhe në nivelin e kampionateve tona, edhe në nivelin ndërkombëtar pasi kjo lëvizje do të jetë shumë e mundur dhe e lexueshme, lindja dhe zhvillimi i talenteve. Nëse kanë një talent ose pasion, ose mundësi për t’u përfshirë në aktivitet fizik ta kenë derën e hapur për ta bërë këtë.

Kampioni i karatesë, Alvin Karaqi nuk mban dot lotët: Krenarë që përfaqësojmë Shqipërinë

Ceremonia e nderimit me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike” për kampionin e karatesë në Lojërat Europiane, Alvin Karaqi është zhvilluar ditën e sotme. Pasi është nderuar me “Yllin e Mirënjohjes Publike”, kampioni Karaqi ka mbajtur një fjalë publike në nisje të të cilës, ka falenderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë gjithë jetës dhe karrierës së tij. Emocionet e forta e kanë mbërthyer kampionin e karatesë, dhe për pak momente ai është përlotur e po ashtu edhe familjarët e tij nga këto çaste krenarie për to.

Alvin Karaqi: Faleminderit të gjithë përfaqësuesit e Komunitetit të Karatesë. Faleminderit prindër, faleminderit Erza. Medaljen e kam fituar unë dhe çmimin e kam marrë unë, por prapa meje qëndron një ekip i madh, duke filluar nga prindërit, të dashurës time. Ju jeni arsyeja pse unë kam fituar. Falenderoj shumë ekipin dhe Presidentin. Këtë medalje do ta ndaja me të gjithë, në zemrën time ju kam të gjithëve. Ne duhet të vazhdojmë e të luftojmë për këtë medalje dhe këtë flamur. Jemi krenarë që e përfaqësojmë Shqipërinë, për ndjenjën që po i japim njëri-tjetrit. Në kirurgji edhe në sport nuk kam qef të flas shumë. Faleminderit dhe njëherë për prezencën dhe përkrahjen tuaj. Uroj që të gjithë sportistët dhe sidomos ekipi i karatesë ta përjetojë këtë ndjenjë që po e përjetoj unë. Faleminderit.

/tvklan.al