Sot në orën 19:00 në Tiranë do të hidhet shorti për Kampionatin Europian të 17-vjeçarëve për djem që do të mbahet nga 19 Maji deri më 1 Qershor në Shqipëri.
Së bashku me ekipin kuqezi do të jenë edhe Gjermania, Franca, Portugalia, Anglia, Italia, Çekia e Belgjika. Shqipëria U17 është debutuese në këtë turne që ndeshjet do t’i luajë në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Rrogozhinë.
“Një ditë e veçantë, një datë historike për futbollin shqiptar. Shqipëria, Gjermania, Franca, Portugalia, Anglia, Italia, Çekia dhe Belgjika do të mësojnë në short rrugëtimin e tyre në këtë Europian, që nuk është vetëm një garë futbolli, por edhe një festë e vlerave sportive, pasionit dhe talentit”, thotë Presidenti i FSHF, Armand Duka.
Shorti është i lirë dhe 8 ekipet do të ndahen në 2 grupe. Shqipëria si pritëse e turneut është vendosur në Grupin A dhe do të luajë sfidën e parë në orën 18:00 të 19 Majit në Arenën Kombëtare.
Ky është kampionati i 22 për 17-vjeçarët në kontinent. Vitin e kaluar u shpall kampione Italia, ndërsa Franca është skuadra që ka më shumë tituj, 3 në total.
Tv Klan