Lakers mposhten nga Dallas, fitojnë Milwaukee e San Antonio Spurs

Kur pritej reagimi i Los Angeles Lakers, kampionët në fuqi të NBA zhgënjejnë sërish. Lakers u mposht 115-110 nga Dallas Mavericks, duke rrezikuar tashmë edhe vendin e pestë në renditje.

Edhe pse për Lakers u rikthye në fushë Davis (4 pikë në 16 minuta lojë), kjo nuk mjaftoi. Luka Donçiç bëri diferencën në fushë për Dallas, duke realizuar 30 pikë, teksa te Mavericks të gjithë titullarët realizuan mbi 10 pikë.

Milwaukee Bucks fitoi duelin e kreut me Philadelphian në Lindje. Giannis Antetokounmpo realizoi 27 pikë e 16 rebound, më i miri në fushë, duke i bërë të pavlefshme 24 pikët e Embiid për miqtë.

Fiton edhe San Antonio Spurs, 106-91 ndaj Detroit Pistons, takim ku u dallua Derrick White me 26 pikë. Surprizon ekipi i Boston Celtics, që mundi 99-86 Phoenix Suns, duke zbehur disi shanset e miqve për të marrë kreun në Perëndim. Kemba Walker me 32 pikë ishte lider në fushë për Boston.

Fitore të thellë korri New Orleans Pelicans, që mundi 135-100 Orlando Magic me Ingram që shënoi 29 pikë. Ndërsa Chicago Bulls mposhti 108-91 Charlotte Hornets. Vuçeviç, White e Young realizuan nga 18 pikë secili.

Klan News