Një operacion i gjerë kundër terrorizmit është organizuar në rajonet e Piemontes dhe Lombardisë në Itali.

Ndër 6 personat e arrestuar është dhe emri i 27 – vjeçarit Abderrahim Moutaharrik, me origjinë marokene, një kickboxer profesionist.

Sportisti kishte bërë disa ndeshje në të cilat ishte shfaqur me të mbathura të zeza, që mbanin simbole të ISIS, por askush nuk i kishte vënë re më parë.

122056172-b71e8cb5-38ef-4d5d-9375-ef222ae97ce2

Sipas hetimeve, ai ishte gati për t’u nisur nga Lecco ku banonte, së bashku me bashkëshorten Salma Bencharki, për t’iu bashkuar Shtetit Islamik në Siri.

Hetimet e autoriteteve italiane kanë arritur në përfundimin se Moutaharrik ishte pjesë e një celule xhihadiste në Itali, e gatshme për t’iu bashkuar ISIS në Siri dhe ndërkohë po planifikonte atentate në Romë, në Ambasadën e Izraelit dhe në Vatikan.

Në një prej përgjimeve rezultoi se ishte pikërisht Moutaharrik, personi të cilit iu ishte kërkuar nga “sheikë” të ISIS, që të godiste Italinë.

Gjatë transkriptimeve ka dalë dhe një “poemë – bombë”, e cila përshkruhet nga autoritetet si “një thirrje e qartë për të kryer akte dhune, me qëllime terroriste”.

“Dëgjo Sheikun dhe godit!”

ishte thelbi i thirrjes.

Në një tjetër mesazh audio, të dërguar në WhatsApp, një “sheik” i ISIS, i pa identifikuar, e fton sportistin për hakmarrje kundër të krishterëve.

“Të bësh mirë këtë pjesë aty, në Romë, në Itali, në Spanjë, në Francën kristiane, në Anglinë e krishterë. Për sheikun, ky është i vetmi operacion që e kënaq më shumë se dhjetra bomba”.

Vetë bokseri Abderrahim Moutaharrik, në një mesazh të 25 Marsit të vitit të kaluar, i shkruante një tjetër të arrestuarit në këtë operacion, Mohamed Koraichi, ku i thoshte:

“Këtyre armiqve betohem, nëse arrij të siguroj familjen time, të betohem që do të jem i pari që do t’i godas. Në këtë Itali kryqtarësh, do të jem i pari që do të sulmoj. Betohem, betohem, që do të sulmoj në Vatikan, me vullnet të Zotit”.

/tvklan.al