Kamza befasoi Kukësin në stadiumin “Zeqir Ymeri”, duke fituar me rezultatin 1 – 0 në sfidën e javës së 19. Pavarësisht rasteve të vendasve, ishin miqtë që realizuan në pjesën e dytë. Rezi shënoi golin e suksesit të Kamzës në transfertë.

Kjo është humbja e parë për Kukësin nën drejtimin e Peter Pacult. Në përfundim të ndeshjes klubi kuksian me anë të një deklarate shfaqi pretendime për gjykimin e Enea Jorgjit.

Laçi i mori pikë Partizanit në përballjen e zhvilluar në “Selman Stërmasi”. Ndeshja përfundoi pa gola edhe pse nuk munguan rastet, më së shumti të vendasve. Një rezultat i jashtëzakonshëm për Laçin në përballjet direkte këtë sezon me Partizanin ku numëron 7 pikë.

Vllaznia është rikthyer te fitorja pas disa javëve me humbje. Skuadra shkodrane triumfoi me rezultatin 2 – 0 në përballjen direkte në fushën e Lushnjes. Golat e Sukajt në pjesën e dytë vendosën takimin.

Sukses në fushë kundërshtare edhe për Luftëtarin që mundi Teutën me rezultatin 3 – 2. Gjirokastritët luajtën me 10 futbollistë minutat e fundit pas daljes së Liçajt me karton të kuq.

Të premten Skënderbeu me fitoren 1 – 0 me Flamurtarin u shkëput 11 pikë nga ndjekësit.

Tv Klan