Në kuadër të operacionit policor të koduar “Denasi” janë kapur dhe arrestuar në flagrancë 3 persona, të cilët posedonin kanabisin në banesat e tyre. Konkretisht janë vënë në pranga 24-vjeçari me iniciale D.L., 20-vjeçari me inciale K.Z., të dy banues në fshatin Gjonomadh të Korçës dhe 38-vjeçari L.Q., banues në fsahtin Denas të Korçës.

Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtarinë kriminale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, shërbimet policore kanë ushtruar kontroll në banesat e tyre, në fshatrat Gjonomadh dhe Denas. Gjatë kontrolleve në të trija banesat, u gjetën sasi kanabis.  

Gjithashtu, në afërsi të banesës së 24-veçarit D.L. u gjetën të kultivuar fidanë kanabis, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e 20-vjeçarit me inciale K. Z., u gjetën 2 armë gjahu dhe 2 tyta çifteje.

Lënda narkotike dhe armët e gjahut u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa fidanët narkotikë, pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies. 

Vijon puna për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al