Straumetis: 40 mijë vende të reja pune hapen në 3 vjet

Falë disa fotografive që i kishte publikuar në profilin e tij në Instagram, opinioni në Maqedoninë e Veriut u njoftua se javën e kaluar në vend ka qëndruar sipërmarrësi amerikan Michael Straumetis ose Big Majk, apo “mbreti i marijuanes”, siç e quajnë në internet.

Ai është pronar i kompanisë “Advanced Nutrients”, që merret me prodhimin e marijuanës për qëllime rekreative dhe mjekësore. Në Shkup është takuar me Kryeministrin Zoran Zaev në kabinetin e tij.

Qëllimi është shtimi i fermave të kanabisit, të cilat qeveria e vendit fqinj i ka legalizuar dhe parashikon të përfitojë prej tyre qindra milionë dollarë.

“Sapo realizova një takim me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ku biseduam shumë gjëra për kanabisin. Dua t’ju them, ky vend ka potencial të madh dhe unë jam shumë i emocionuar të jem pjesë e shndërrimit të Maqedonisë së Veriut në një nga superfuqitë e para të kanabisit në Evropë”.

Duke u larguar nga Shkupi, përmes një video të postuar në Instagram, Straumetis ka paralajmëruar hapjen e 30 deri 40 mijë vendeve të reja të punës në dy-tri vitet e ardhshme. Ai ka theksuar se nuk ka vend tjetër në Evropë që disponon me resurse të shkëlqyeshme të ujit dhe tokës pjellore për kultivimin e kanabisit. Ndaj u ka bërë thirrje biznesmenëve të tjerë të investojnë në këtë fushë.

Maqedonia e Veriut është një ndër vendet e paketa të Europës, që e ka legalizuar prej disa vitesh kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore.

Kjo industri, për vendet që po e zhvillojnë atë, po sjell përfitime marramendëse. Shkupi parashikon përfitime deri në 100 milionë euro në vit.

Aktualisht, 27 kompani janë licencuar për prodhimin e vajit mjekësor të kanabisit, kurse në pritje të licencave, siç thonë nga qeveria e Shkupit janë 17 kompani.

Interesi duket i lartë dhe shifrat jozyrtare flasin për 70-80 kompani.  Firmat e licencuara kanë themelues nga vende të Bashkimit Europian, si Holanda, Polonia, Bullgaria e Sllovenia, por edhe nga Serbia, Turqia e Shqipëria.

Vetë kultivuesit thonë se industria e kanabisit për qëllime mjekësore duhet të zgjerohet edhe më shumë, pasi i sjell vendit përfitime të mëdha. Për një litër vaji të kanabisit, kompanitë prodhuese përfitojnë afro 95 mijë euro.

“Është një degë interesante, ku Maqedonia e Veriut mund dhe ka kuadro për këtë biznes dhe për të vazhduar më tej për t’u zhvilluar. Të mos shesim vetëm lulet dhe vajin, por edhe prodhime të gatshme. Statistika jonë tregon se profiti nga eksporti i kanabisit mund të jetë më i madh nga eksporti i mishit të qengjit, verës, pjeshkave dhe prodhimeve bujqësore në Maqedoni. Është një shans i mirë për vendin.”

Jo zyrtarisht flitet se në Maqedoninë e Veriut fermat e kanabisit zënë rreth 140 mijë metër katrorë. Thuajse çdo ditë hapen kompani të kësaj veprimtarie e që përmbajnë fjalën kanabis, që do të thotë se interesimi për këtë biznes është tejet i madh.            

Veç Maqedonisë së Veriut, në Europë kjo industri po lulëzon edhe në Greqi dhe Portugali, dy vende e kanë atë për të ulur papunësinë dhe për të shtuar të ardhurat në buxhet. Studimet tregojnë se tregu evropian i kanabisit mjekësor mund të arrijë 55 miliardë euro përfitime deri në vitin 2028.

Që nga viti 2018, sektori i prodhimit të kanabisit për qëllime mjekësore po sheh zhvillime me ritme të shpejta edhe në Amerikën e Veriut, pasi vlerësohet se përfitimet tregtare janë shumë të mëdha për t’u injoruar.

Tv Klan