Mjekja toksikologe Suela Xhufi ka folur sot në studion e Klan News për gazetarin Besard Jacaj sa i takon kanabisit mjekësor.

Xhufi thekson se kanabisi mjekësor ka disa substanca që sjellin efekt qetësues te shumë pacientë që vuajnë nga sëmundje si: SIDA, Parkinson, artriti apo tumori.

“Kanabisi në vetvete është bima e marijuanës e cila ka 100 substanca përbërëse nga të cilat, ato që japin efekte psiko-aktive është THC-ja. Sa më i lartë të jetë THC-ja te kanabisi aq më i lartë është efekti psiko-aktiv te pacienti. Kemi CBD-në (kanabidioli), antagonist i efekteve të THC-së dhe pikërisht është kjo ajo që ka nisur atë që ne e quajmë kanabis medicinal. Duke qenë se efektet pozitive që ka kanabidioli tek individët, përshembull përdoren në rastet e personave që kanë probleme të tumoreve malinje në stade terminale.

Për t’ju qetësuar dhimbjet, përdoret në pacientë që kanë probleme të rënda psikiatrike, përdoret te pacientë që kanë glaukomë për të ulur hipertensionin në sy. Është përdorur për pacientët me Parkinson, në ato raste kur ata nuk kanë një efekt nga protokolli aktual, është parë një përqindje pozitive e rregullimit të simptomave te këta pacientë. Efekt tjetër pozitiv është rritja e oreksit te pacientët që janë me HIV/AIDS, po ashtu rritjen e imunitetit në rastin e tumoreve malinjeve si pain killer (qetësues) apo ata që kanë artrite që s’kanë efekte nga terapitë aktive.”

E pyetur nëse përdorimi i kanabisit mjekësor duhet të legalizohet në vendin tonë, mjekja u shpreh pro nëse gjithmonë ai është i kontrolluar.

Nëse është i kontrolluar dhe me përqindje aq sa duhet është në rregull. Sot është rritur nga përpunimet që u janë bërë bimëve hibride, një cigare marijuanë normale ka 300 miligramë të THC-së (tetrahydrocannabinol).”/tvklan.al