Kanabisi mjekësor, Taulant Balla: Pse të humbasim 500 milionë Euro?



Kanabisi mjekësor, Taulant Balla: Pse të humbasim 500 milionë Euro?

12:46 14/05/2020

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar se nga kultivimi i kanabisit mjekësor pritet që të përfitohen 500 milionë Euro.

Gjatë fjalës së tij në Parlament, Balla sqaroi se qeveria është duke e studiuar prej 1 viti praktikën e legalizimit të kultivimit të kanabisit mjekësor.

Kreu i grupit socialist solli shembullin e Maqedonisë së Veriut, vend ku lejohet kultivimi i kanabisit mjekësor, për të thënë se në vit ky shtet përfiton 100 milionë Euro, ndërsa i gjithë cikli ekonomik nga kjo kulturë bujqësore shkon në 500 milionë Euro.

“Prej 1 viti duam të hulumtojmë dhe kemi hulumtuar praktikat më të mira se si kjo kulturë bujqësore, në fund të fundit është një kulturë bujqësore… Në Shqipëri kemi përdorur historikisht kërpin. Edhe kjo kulturë bujqësore ka një rendiment të lartë dhe krijon cikël të ri ekonomik. Le ta quajmë të mbyllur këtë dhe të gjithë ata që u shqetësuan, në fund të fundit Maqedonia e Veriut përfiton 100 milionë Euro në vit. Ndërkohë i gjithë cikli i plotë ekonomik që kjo kulturë bujqësore dhe ky përpunim i saj, shkon në 500 milionë Euro. Përse duhet t’i humbim ne këto”?

Një ditë më parë, në një intervistë për Tv Klan, Taulant Balla tha se kultivimi i kanabisit mjekësor do të bëhet nga kompani të huaja që kanë eksperiencë në këtë fushë. /tvklan.al



Të ngjashme