Kanadaja është bërë vendi i dytë në botë pas Uruguait që legalizon përdorimin e kanabisit rekreativ. Tregu ndërkombëtar për kanabis u hap mesnatën e së mërkurës, pavarësisht debateve të vazhdueshme rreth ndikimit mbi shëndetin, ligjin dhe sigurinë publike.

Informacione rreth ligjeve të reja dhe fushatave të ndërgjegjësimit publik u janë dërguar rreth 15 milionë familjeve. Pavarësisht legalizimit, ka ende shqetësime përfshirë edhe gatishmërinë e forcave të policisë se si duhet të trajtojnë rastet e drejtimit të mjetit nën efektin e drogës. Disa çështje kyçe se si do të funksionojë shitja e kanabisit në Kanada mbeten pa përgjigje. Analistët parashikojnë mungesë të marijuanës rekreative në treg në vitin e parë të legalizimit, pasi prodhimi vazhdon të rritet për të përmbushur kërkesën.

Provincat kanadeze dhe komunat po përgatiteshin prej muajsh për ligjin e ri që i hapi rrugë përdorimit të marijuanës rekreative. Provincat janë përgjegjëse për përcaktimin e shumë detajeve, ku kanabisi mund të blihet dhe konsumohet brenda juridiksioneve të tyre. Uruguai është vendi i parë në botë që ka legalizuar kanabisin rekreativ, edhe pse Portugalia dhe Holanda e kanë dekriminalizuar këtë lloj droge.

Kanabisi rekreativ është lloj droge që merret për qëllime të kënaqësisë personale dhe jo për qëllime mjekësore. Kanabisi rekreativ nxit efektet e kënaqësisë, haluçinacioneve, gjumin, oreksin, nuhatjen e shijen. Këto efekte zgjasin zakonisht për rreth 6 orë. Por përdorimi i vazhdueshëm i kanabisit rekreativ shkakton varësi ndaj drogës, humbje të vigjilencës e dobësim të kujtesës. 

/tvklan.al