Kanadaja njeh pasaportat e vaksinimit me Sinovac


Kanadaja njeh pasaportat e vaksinimit me Sinovac

19:20 29/11/2021

Hiqet karantina për të vaksinuarit me vaksina kineze dhe indiane

Studentët ndërkombëtarë, punëtorët e huaj të përkohshëm dhe udhëtarët e tjerë të huaj të vaksinuar plotësisht me dy dozat e vaksinave kineze Sinopharm, Sinovac dhe atë indiane Covaxin nuk do të kenë nevojë më të futen në karantinë kur të hynë në Kanada duke nisur nga kjo e martë.

Politika e re për zgjerimin e listës së vaksinave të pranueshme për Covid-19 është veçanërisht e dobishme për udhëtarët që vijnë në Kanada nga Kina. Sipas Institutit të Shëndetit të Kinës, mbi 85% e banorëve në këtë shtet janë të vaksinuar të gjithë me Sinovac. Ndër vendimet e fundit të qeverisë së Torontos është edhe ai që kanadezët e vaksinuar plotësisht nuk do të duhet të paraqesin më një test negativ për Covid-19 përpara se të mbërrijnë në Kanada pas një udhëtimi prej 72 orësh ose më pak.

Shumë studentë të huaj të Universitetit të Torontos, morën mësime në distancë në internet nga vendet e tyre këtë semestër. Përpara ndryshimit për zgjerimin e listës së vaksinave të njohura nga Kanadaja, studentët ndërkombëtarë duhej të paguanin tarifat e hotelit dhe tre vakte ushqim në ditë për karantinë.

Rregullat kanadeze më parë kërkonin një karantinë 14-ditore për ata që ishin të vaksinuar me Sinovac e Sinofarm duke përfshirë fjetjen në hotelet e përcaktuara nga qeveria dhe nga shkollat që mbulonin gjysmën e tarifës së pagesës në karantinë në shifra deri dy mijë dollarë.

Ndryshimet e fundit nënkuptojnë se Kanadaja ka kaluar brenda një viti nga një vend që lejon shumë pak udhëtime ndërkombëtare në një vend që lejon udhëtarët e vaksinuar të hyjnë pa karantinë.

Fëmijët e pavaksinuar nën 12 vjeç që shoqërojnë prindin, njerkun, kujdestarin ose tutorin e tyre do të përjashtohen po ashtu nga karantina. I rrituri shoqërues duhet të jetë plotësisht i vaksinuar dhe të ketë të drejtën e hyrjes në Kanada. Fëmijët e pavaksinuar që përdorin përjashtimin nuk do të lejohen të ndjekin shkollën, kopshtin ditor ose ndonjë turmë publike për 14 ditë pas kthimit në Kanada.

Duke nisur nga 30 Nëntori 2021, do të kërkohet vaksinimi i plotë për të gjitha udhëtimet ajrore brenda Kanadasë dhe ato që nisen nga Kanadaja. Një test molekular i vlefshëm për Covid-19 nuk do të pranohet më si një alternativë ndaj vaksinimit.

Klan News








Të ngjashme