Dështojnë përpjekjet për të lëvizur anijen Evergreen

Kanali i Suezit vijon të mbetet i bllokuar për kalimin e anijeve. Përpjekjet e ekipeve për të zhvendosur anijen Evergreen 400 metra të gjatë, e cila ka mbetur e bllokuar në Kanalin e Suezit që prej së martës së shkuar kanë dështuar sërish.

Rreth 20,000 ton rërë u hoqën me mjete të rënda ndërsa 14 rimorkiatorë e tërhoqën anijen për ta zhvendosur sërish në rrjedhën e kanalit.

Megjithatë baticat dhe erërat e forta ndërlikuan përpjekjet, pavarësisht se rimorkiatorët arritën ta lëviznin atë 30 gradë.

Në fund të këtij operacioni autoritetet kanë bërë të ditur se anija do të mbetet edhe për disa ditë e bllokuar.

Më shumë se 320 anije të ngarkuara me mallrat e ndryshme po presin me ditë të tëra që të fillojnë lëvizjen në detin e Kuq dhe Detin Mesdhe.

Bllokimi i trafikut detar në një nga korridoret ujore më të ngarkuara në botë ku kalon rreth 12 përqind e tregtisë botërore, ka shkaktuar një dëm të madh në kompanitë tregtare, ndërsa tarifat e transportit të anijeve cisternë të produkteve të naftës pothuajse u dyfishuan.

Tv Klan