Dhuron 60 mln euro për muzeun e vendosur në këtë kamp

Për të parën herë në një çerek shekulli, një drejtues i qeverisë gjermane viziton ish-kampin famëkeq nazist të Aushvicit.

Angela Merkel e shoqëruar nga homologu polak Mateus Moraviecki vunë kurora me lule në nderim të viktimave të Holokaustit në atë që konsiderohet si “Muri i Vdekjes”.

Gjatë fjalës së saj, kancelarja bëri thirrje për luftë të ashpër kundër anti-semizimit.

Vizita përkon me 75 vjetorin e çlirimit të kampit nga nazistët, të cilët masakruan dhe vranë aty 1.1 milionë të burgosur, kryesisht hebrenj, por edhe polakë, romë e homoseksualë.

Merkel njoftoi dhurimin e një fondi prej 60 milionë eurosh në ndihmë të fondacionit Aushvic-Birkenau, që kujdeset për muzeun e ngritur pranë këtij kampi. Është shuma më e madhe e dhuruar ndonjëherë për këtë kamp, që e bën Gjermaninë, donatorin më të madh.

Kjo ishte e para vizitë e Merkelit në këtë kamp, që vjen në një kohë kur në Gjermani e Europë është konstatuar rritje e akteve të dhunës me motive anti-semite nga radikalët e djathtë.

Tv Klan