Kanceri i mushkërive është një nga sëmundjet tumorale më problematike për shkak se ka edhe vdekshmëri të lartë.
Gjatë vitit të fundit në vendin tonë janë diagnostikuar 717 raste të reja me tumor në mushkëri, shumica e rasteve janë te meshkujt, por në rritje janë edhe rastet e femrave, ku në një vit janë dignostikuar 150 gra me tumor në mushkëri.
Eksperti i shëndetit publik Alban Ylli thotë se pavarësisht se njerzit e shikojnë ndotjen e ajrit si problem te kancerit të mushkërive, shkaktari kryesor i këtij tumori mbetet duhanpirja.
“Kanceri i mushkërisë që është një nga kanceret kryesore të Shqipërisë shkaktari është pothuajse unik. Ne besojmë që 70-80% i rasteve shkaktohet nga duhanpirja, pra nëse do të kontrollonim duhanpirjen do ta shndëronim këtë kancer madhor në një kancer të vogël dhe më pak të rrezikshëm. Padyshim që ka edhe shkaqe të tjera, por diferenca e incidencës midis meshkujve dhe femrave na e dëshmon këtë qartë. Është disa herë më i lartë risku për kancerin e mushkërisë mes meshkujve se sa mes femrave”, shprehet eksperti i shëndetit publik, Alban Ylli.
Sipas Yllit, në dekadën e fundit ka një tendencë të rritjes së duhanit te femrat, ndaj dhe shifrat e këtij kanceri po vijnë duke u rritur.
“Vërejmë se mes femrave risku për kancerin e mushkërive po rritet pavarësisht se është i ulët, ndërkohë që mes meshkujve ka ngelur në vend çka ndoshta është duke reflektuar me epideminë e duhanpirjes në vendin tonë, pra një frenim të duhanpirjes tek meshkujt dhe një rritje të duhanpirjes tek femrat”, thekson Ylli.
Sëmundjet tumorale shkaktar kryesor kanë stilin e jetesës, ndaj ekspertët rekomandojnë, ushqim të shëndetshëm, aktivitet fizik dhe të lihet duhani nga ata që e pinë. Gjatë një viti në vendin tonë dignostikohen rreth 7 mijë raste të reja me sëmundje tumorale, ku mbizotërojën kanceri i lëkurës, kanceri i gjirit, ai i mushkërive dhe i zorrës së trashë.
Klan News