Pas prezantimit të listës së plotë të kandidatëve për deputetë në të gjitha qarqet e vendit, Kryeministri Edi Rama, në një dalje për mediat nga selia rozë komentoi atë që ai e quajti skuadrën e re përfaqësuese, që sipas tij nuk ka vetëm misionin të fitojë në zgjedhjet e 18 Qershorit, por edhe të

“dalë faqebardhë përballë të gjithë atyre që do t’i japin besimin për të ecur përpara”.

Rama theksoi se në përzgjedhjen e kandidatëve është përfshirë edhe përpjekja për të verifikuar përputhshmërinë e plotë të të gjitha figurave me ligjin e pastërtisë së figurës.

 “Së pari faleminderit që jeni këtu edhe në këtë orë të pazakonshme, nuk dua t’ju mbaj deri pas mesnate, dua thjeshtë të bëj një përmbledhje sa më të shkurtër për skuadrën tonë përfaqësuese, që do të zbresë në fushë për betejën e 18 Qershorit. Do e filloj me një shprehje mirënjohjeje për të gjithë deputetët dhe deputetet që kontribuuan dhe ishin pjesë e rrugës sonë nga Shqipëria që kishim, tek ajo që kemi. Duke filluar nga Namik Dokle për të vazhduar me Valentina Leskaj, pa dyshim Arta Dade, e të gjithëve me radhë, për të cilët kam falenderimet më të sinqerta dhe shprehjen jo vetëm të mirënjohjes, por edhe të respektit më të madh, për gjithçka bënë si përfaqësues të PS në Kuvendin e Shqipërisë. Skuadra e re përfaqësuese ka misionin jo thjeshtë të fitojë ndeshjen e 18 Qershorit, betejën e 18 Qershorit, por edhe të bëjë të mundur që në këtë fazë tjetër të rrugëtimit tonë, nga Shqipëria që kemi tek Shqipëria që duam, ne t’ia dalin faqebardhë përballë të gjithë atyre që do të na japin besimin për të ecur përpara. Është një kuadër që harmonizon, besoj unë, mosha, eksperienca, komunitet, treva. Dhe mendoj se është momenti për të falenderuar edhe të gjithë udhëheqësit e qarqeve që kanë bërë një punë si asnjëherë më parë, të lavdërueshme, për të qëmtuar me kujdes të gjitha ndjeshmëritë, të gjitha potencialet, të gjitha kandidaturat e mundshme, të cilat kanë qenë mbi 1500 dhe për të arritur në një listë përfundimtare, që nuk duhet të thotë se kjo është e gjitha, pasi patjetër që edhe shumë të tjerë, fare mirë mund të kishin qenë pjesë e kësaj skuadre. Por ashtu siç në çdo aktivitet ka një garë skuadrash, ka një numër të përcaktuar skuadrash. Edhe për ne, numri i përcaktuar kërkon nga ne një selektim rigoroz. Selektimi ka qenë shumë rigoroz në të gjitha aspektet, por këtë herë duke pasur parasysh dhe një kuadër të ri ligjor, ne kemi përfshirë në këtë proces përzgjedhjeje, edhe përpjekjen për të verifikuar përputhshmërinë e plotë të të gjitha figurave të skuadrës sonë përfaqësuese me ligjin e pastërtisë së figurës së shërbëtorit publik. Dhe jo vetëm kaq, po në mënyrë shumë rigoroze është shqyrtuar në çdo detaj CV –ja e çdo kandidati. Kështu që besoj se sot, me plot gojë mund t’ju themi njerëzve se jemi gati në këtë moment të fillojmë fazën e ballafaqimit e sa shumë kemi bërë, sa shumë mbetet akoma për të bërë dhe sa shumë ka për të humbur nëse ndalemi në këtë rrugë”.

Kreu i qeverisë u ndal në veçanti tek dy kandidatura, atë të minoriteti grek dhe maqedonas. E duke folur për këtë të fundit, Rama nënvizoi se ndihet krenar për Shqipërinë që kemi, një Shqipëri ku minoritetet, sipas tij, respektohen në mënyrë shembullore.

Kryeministri i kujtoi fqinjëve dëshirën që shqiptarët në Maqedoni, të cilët nuk janë një minoritet, por janë një nga dy entitetet që formojnë Maqedoninë, të gëzojnë respektin, liritë, të drejtat e barabarta me maqedonasit.

“Dua të nënvizoj dy elementë, sepse ju dëgjuat përshkrimin e të gjitha listave për çdo qark, por janë dy elementë që unë dua t’i nënvizoj në mënyrë pak më të posaçme. Në njërën anë përfshirjen e përfaqësuesve të denjë të komunitetit minoritar grek në skuadrën tonë, përmes një figure të njohur dhe shumë të respektuar, në zonën e minoritetit, si Andrea Marto dhe përfshirjen e një zonje nga komuniteti i vockël maqedonas dhe këtu më lejoni që të nënvizoj se jam shumë krenar për Shqipërinë që kemi dhe në këtë aspekt edhe Shqipëria që kishim nuk bënte fort dallim, ku respektohen minoritete vërtetë në mënyrë shembullore. Dhe duke qenë se sot ne shohim me shumë shqetësim atë që ndodh në vendin fqinj, shpresoj që askush nuk do të ndihet i provokuar kur them se një minoritet me pak mijë banorë ka përfituar një vëmendje të veçantë nga Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe në reformën Administrativo Territoriale është kthyer në një Bashki më vete, thjeshtë vetëm në respekt të atyre njerëzve. I është ndryshuar emri Bashkisë, duke respektuar dëshirën e atyre njerëzve. Quhej Liqenas dhe quhet Postec. Besoj se jemi në të drejtën tonë që t’i kujtojmë fqinjëve tanë maqedonas se do të dëshironim shumë që shqiptarët në Maqedoni që nuk janë një minoritet, por janë një popullsi shtet formuese, janë një nga dy entitetet që formojnë Maqedoninë, të gëzojnë respektin, liritë, të drejtat qind për qind të barabarta me maqedonasit. Ne duam një Maqedoni stabël, ne duam një Maqedoni të zhvilluar demokratikisht dhe ekonomikisht, sepse ne duam që Maqedonia të jetë shëmbëlltyrë e harmonisë mes fqinjësh dhe të jetë njëkohësisht vendi ku asnjë shqiptar të mos ndihet qytetar i dorës së dytë. Thirrja e përsëritur për qetësi, për durim dhe për sa më shumë vullnet edhe në këto kushte të vështira, për të mos u përfshirë në një konflikt politik dhe për të mos lejuar që shqiptarët të përdoren si alibi për atë konflikt është shprehje kuptimplotë e dëshirës sonë të madhe që Maqedonia të kapërcejë këtë krizë që vazhdon të përshkallëzohet, ku fatkeqësisht, lufta për pushtet ka përfshirë si alibi shqiptarët”.

Në fund, kreu i qeverisë ripërsëriti se është besimplotë që Partia Demokratike do të futet në zgjedhje.

“Dhe së fundmi, dua të nënvizoj se unë vazhdoj të mendoj se Partia Demokratike do të hyjë në zgjedhje dhe jam i bindur që nuk është një iluzion, por është një mundësi reale, sepse këtë bindje kam pasur gjithmonë. Dhe jam po ashtu besimplotë se ne, ashtu siç e kemi shprehur në vijimësi do të mund t’i krijojmë Partisë Demokratike dhe partive rreth saj mundësinë që të regjistrohen, natyrisht në formatin aktual secili më vete, edhe jashtë afatit. Natyrisht që ka një afat fizik mundësishë për përgatitjen e fletëve të votimit dhe unë uroj që afati final të sjellë edhe më shumë arsye. Dhe patjetër jemi të gatshëm që t’i ofrojmë Partisë Demokratike që më 8 Maj të shkojë në Kavajë me një kandidat dhe jo me një turmë njerëzish të manipuluar.”

I pyetur nga gazetarët nëse renditja e tij në vendin e 6-të në Vlorë dhe Gramoz Ruçit i 9 –ti në Fier, është ftesë për Partinë Demokratike, Kryeministri dha këtë përgjigje:

“Nuk është ftesë për Partinë Demokratike, por është bindje qoftë e imja qoftë e Gramozit se kush ka përgjegjësi më të mëdha, do të marrë, le të themi edhe shembullin se përgjegjësia është përgjegjësi. Ndërkohë dua të them se Gramozi ka vendosur veten aty ku është objektivi i Partisë Socialiste në zgjedhje së bashku me Partinë Demokratike. Por edhe unë për një arsye tjetër, se udhëheqësi i Qarkut të Vlorës është Damian Gjiknuri, nuk jam unë dhe me punën e jashtëzakonshme që ka bërë dhe impakti që ka krijuar, meriton të jetë drejtuesi im politik në Vlorë”.

Rama iu përgjigj edhe pyetjeve se kanë mbetur vetëm pak minuta për përfshirjen e PD në zgjedhje dhe për përfshirjen e Spartak Brahos në listën e kandidatëve

“E para është që ne nuk e presim Partinë Demokratike, siç e shikoni ne nuk po e presim dhe nuk kemi ndërmend të ndalemi me shpresën se PD do vijë. Nëse do të kërkojë që t’i bashkangjitet këtij procesi themelor demokratik, natyrisht në një kohë të arsyeshme që nuk e vendosim ne, por afatet fizike të përgatitjes të materialeve zgjedhore etj, ne nuk do të themi jo dhe madje unë jam i përgatitur që të them po, edhe për të gjitha kërkesat e parashtruara në platformën e kompromisit nga miqtë e PD të Partive Popullore, duke e përjashtuar sigurisht afatin e zgjedhjeve, që s’ka më kuptim të shtyhet. Ndërsa të tjerat janë të gjitha në tavolinë, por kuptohet që duhet të merremi pak vesh për Vetting -un. Sa i përket Spartak Brahos, ai nuk ka qenë në fakt asnjëherë deputet i LSI, në kuptimin juridik. Ka qenë deputet i PS, kur Ilir Meta krijoi LSI-në. Pastaj në 2009 –ën në mos gabohem, nuk ka qenë deputet fare, ndërsa në 2013 –ën ka qenë deputet i PS. Ka një rrol të posaçëm në marrëdhënien mes dy partive kur është kohë e nxehtë dhe patjetër që ka dhe një eksperiencë që ne e kemi çmuar gjithmonë. Pra asnjëherë nuk ka qenë një pengesë, një zjarr nxitës, por një urë ku në kemi kaluar, qoftë unë, qoftë presidenti i zgjedhur.”

//tvklan.al