Nuk po kryejnë analizë të thjesht gjaku, por të dy kandidatët për President në Ukrainë i janë nënshtruar testit të drogës. Të ndjekur nga qindra gazetarë dhe nën objektivin e kamerave, Petro Poroshenko dhe rivali i tij Volodimir Zelenski, dhanë kampionët e gjakut në klinikat e Kievit. Kjo ishte një kërkesë e kreut aktual të Ukrainës, pas sfidës që i bëri komediani për një debat televiziv para raudit të dytë që do të mbahet më 21 Prill.

Poroshenko pranoi përballjen por kishte dhe ai sfidën e tij, t’i nënshtroheshin testit për përdorim të drogës. Nuk dihet ende se kur do të zhvillohet debati, por është rënë dakord që të mbahet në një stadium, në mënyrë që të marrin pjesë sa më shumë qytetarë.

Në raundin e parë Poroshenko u rendit pas komedianit Volodymyr Zelensky, i cili është bërë i njohur në serialin televiziv “Shërbyesit e Popullit”. Ai ka premtuar se do të luftojë korrupsionin duke ndërmarrë reforma të reja për gjykatat, policinë dhe shërbimet e inteligjencës. Poroshenko e ka sulmuar rivalin për mungesën e përvojës. “Të jesh president dhe kryekomandant, nuk është një lojë” ka deklaruar ai.

 Klan Plus