Pas shkarkimit të Panuccit, Shqipëria nuk ka ende një trajner. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka shpjegoi nga studio e emisionit “Opinion” në Tv Klan, arsyet lidhur me shkarkimin e trajnerit të kombëtares si dhe kandidatët e mundshëm.

Duka, tha se ai është konsultuar me stafin teknik të skuadrës dhe më pas ka marrë vendimin, pasi trajneri nuk po e inkurajonte dhe nuk po i jepte energji pozitive asaj.

“Në një lloj mënyre u vërtetua se nuk mund ta inkurajonte më skuadrën dhe nuk po i jepte energji pozitive. Nuk i kemi ndërprerë marrëdhëniet vetëm se kombëtarja humbi me Turqinë. Atmosfera në ekip nuk ka qenë e pranueshme”. 

Presidenti i FSHF, u shpreh se nuk ka ende një propozim se kush do jetë trajneri i ardhshëm, por janë disa emra.

“Nuk kemi marrë një propozim akoma. Kam kontaktuar me Eduardo Rejan, pas ndeshjes në Shkodër dhe me një trajner tjetër italian, që kishin ardhur për të parë ndeshjen, por nuk ka asnjë gjë konkrete.

Ndërsa për trajnerin Donadoni, Duka, tha se nuk e di nëse mund të pranojë kushtet dhe të vijë në Shqipëri.

“Donadoni për shembull është ish trajneri i Italisë dhe më pëlqen, por nuk e di nëse mund të pranojë kushtet tona”.

I pyetur se vendimi për shkarkimin e Panuccit ishte marrë para apo pas ndeshjes me Turqinë, Duka, tha se ai ishte në testim gjatë ndeshjes me Turqinë.

“Kemi qenë në diskutime dhe kemi vendosur ta testojmë, vendimi ishte së bashku me stafin teknik të skuadrës. Kam shkuar dhe e kam takuar duke u gdhirë dhe i kam thënë se situata nuk është e duhur”.

Sipas Dukës, nëse trajneri është shqiptar apo i huaj ka avantazhet dhe disavantazhet e veta.

“Nuk duhet të jetë 100 % i huaj. Ka avantazhet dhe disavantazhet e veta, një i huaj dhe një shqiptar, por avantazhi më i madh që ka një shqiptar është njohja e mentalitetit dhe ndërtimi i raporteve me opinionin. Nuk kemi ende një trajner që të drejtojë një ekip me pretendime.

Përsa i përket pagës së një trajneri në vendin tonë shuma varion nga 200 -250 mijë Euro./tvklan.al