Griveaux tërhiqet nga gara pas daljes së një videoje intime

Partia e Presidentit Macron ka marrë një goditje të fuqishme në prag të zgjedhjeve lokale në Francë. Kandidati për Parisin, Benjamin Griveaux njoftoi tërheqjen nga gara pas publikimit në media të një skandali seksual ku ai ishte përfshirë.

Në këtë video, Griveaux i tregon pjesët intime një vajze të re me të cilën rezulton të ketë pasur një lidhje jashtëmartesore. Me të ai ka shkëmbyer edhe mesazhe intime.

Në mediat sociale dhe opinionin publik, Griveaux u vu në qendër të kritikave të ashpra për ngacmim seksual. Publikimin e videos e konsideroi sulm politik, megjithatë njoftoi tërheqjen nga gara.

“Familja ime nuk e meriton këtë. Askush nuk duhet të përballet me këtë lloj dhune. Nuk dua ta ekspozoj familjen time dhe veten, kur tashmë nuk ka më kufij në këtë garë, pasi kam qenë subjekt i shpifjeve, gënjeshtrave e kërcënimeve. Ndaj dhe ky projekt do të jetë më mirë pa mua”.

Analistët thonë megjithatë se përveç anës morale, video nuk përbën vepër penale. Shkëmbimi i mesazheve erotike me vajzën e re, identiteti i të cilës nuk është publikuar, është bërë me marrëveshjen e të dyve.

Rasti nuk përbën ngacmim seksual apo ndaj minorenëve. Griveaux kryesonte sondazhet për Bashkinë e Parisit në zgjedhjet e 15 Marsit. Ai është 42-vjeç, është i martuar dhe baba i dy fëmijëve.

Tv Klan