Kreshnik Hajadari e mohon: Nuk është dënim, është masë qortuese

Ende pa i regjistruar kandidatët, formulari i dekriminalizimit i ka penguar sërish rrugën Partisë Socialiste. Këtë herë për kandidatin në Kuçovë, Kreshnik Hajdari, të cilit në media i është publikuar një vendim nga drejtësia greke që e dënon për kalim të paligjshëm të kufirit në vitin 1999, me 1500 dhrami. Këtë  ngjarje, Hajdari e ka mohuar në formularin e dekriminalizimit, ndonëse e ka detyrim ligjor.

Në një reagim në rrjetet sociale, kryetari aktual i Bashkisë Kuçovë thotë se nuk ishte në dijeni dhe se vendimin e drejtësisë greke e ka përkthyer si masë qortuese.

“Nuk kam pasur asnjë dijeni për veprimet që ka ndërmarrë në mungesë drejtësia greke ndaj meje. E megjithatë edhe sikur të kisha pasur dijeni, masa qortuese që ka dhënë Gjykata e Janinës nuk ka qenë e detyrueshme nga unë për t’u deklaruar si vendim administrative”, tha Hajdari.

Reagimi i parë nga PS erdhi nga Taulant Balla, i cili e normalizoi këtë ngjarje me argumentin se situata të tilla i kanë ndodhur çdo emigranti shqiptar. Përgjegjësinë e një vendimmarrje ia delegoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.  

Mohimi i ngjarjes në formularin e dekriminalizimit, i rrezikon mundësinë Kreshnik Hajdarajt të kandidojë për Kuçovën në 14 Maj.

Klan News