Kryeministri Edi Rama kandidon në këto zgjedhje parlamentare në dy qarqe të ndryshme, Durrës dhe Vlorë, duke qenë se Kodi Zgjedhor e lejon diçka të tillë për kryetarët e partive. Nga Durrësi, aty ku kandidon për herë të parë si deputet, Rama tha se do të qëndrojë si deputet në qarkun që do ta votojë më shumë.

Kreu i qeverisë u shpreh se është momenti i duhur për të qenë deputet në Durrës për t’i dhënë prioritet investimeve që po zhvillohen në këtë qark që është një nga më të mëdhenjtë në vendin tonë.

“Ky është momenti i duhur për mua që të jem këtu, jo thjesht si kryeministër, por edhe i një nga anëtarët e skuadrës së Durrësit, për t’i dhënë më shumë vëmendje si detyrim për shkak të të qenit deputet. Për të hyrë në të gjitha detajet dhe për të ndihmuar nga afër, të gjitha bashkitë e këtij qarku dhe kuptohet në radhë të parë Bashkinë e Durrësit që është bashkia e dytë kyç në Shqipëri pas Tiranës. Kjo do të varet nga ju, do të varet nga Durrsakët. Unë jam në të dyja vendet (Vlorë dhe Durrës) dhe them që do rri aty ku më duan më shumë. Kjo është garë mes njerëzve të babës dhe njerëzve të nënës. Ata të nënës janë shumë të fortë, e kanë inatin të madh. Këta të babës nuk janë inatçinj të mëdhenj megjithëse durrsakët e kanë atë inatin e fshehur dhe e mbajnë më gjatë se nuk e nxjerrin me pasion. Por këtu në këtë moment nuk ka kohë për ta mbajtur gjatë, por duhet nxjerrë me pasion në sensin e garës, që këtu të marrim një rezultat kuptimplotë për të afirmuar domosdoshmërinë për të vazhduar dhe kryer punët që kemi nisur dhe për të mos lejuar që të kthehet mbrapsht rrota e historisë”, u shpreh kryeministri. 

Kreu i qeverisë doli edhe për opozitën dhe tha se sa herë ajo ka qenë në drejtimin e vendit, pasojat kanë qenë të mëdha për Shqipërinë.

“Sa herë që ata kanë marrë një gjë në dorë, gjithmonë në fund e kanë lënë më keq se e kanë gjetur. Niveli i progresit aty ku ishte ka qenë shumë herë më i ulët se duhej, ndërsa dëmi ka qenë shumë herë më i madh se progresi. Ky është fakt”, tha Rama./tvklan.al