20 vjet më parë, në Janar të vitit 1999 u ngrit sipari i një prej ngjarjeve më të rëndësishme dhe më të pazakonta për ambientet artistike të kohës, Festivali Ndërkombëtar i Vokalit Operistik “Marie Kraja”.

Me idenë dhe drejtimin e Zana Çelës, sëbashku me një grup artistësh si Pali Kuke, Robert Radoja etj, u ngrit ky event, i cili do të mbetej në themelin e kulturës shqiptare. Edicioni i këtij viti do të zhvillohet në datat 19 dhe 20 Prill, në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse dhe rikthehet pas një mungese 2-vjeçare.

Për të treguar më tepër detaje rreth festivalit ishin të ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan, moderatorja dhe prezantuesja e këtij spektakli Orinda Huta dhe drejtori i PR-it të TKOB, Klejvis Saliaj.

“Ishte detyrim absolut përballë publikut dhe mjeshtrave internacionalë të operas, të cilët në të gjitha takimet që ne kemi pasur në Opera Europa apo forume të tjera, na pyesnin pse nuk po bëhet “Marie Kraja”. Ky edicion do të jetë një rikthim pas 2 vitesh pauzë, që do të mbahet mend gjatë për formën se si do të vijë, nivelin, prezantimin dhe gjithçka tjetër. Të gjithë ata që do të kenë mundësi ta ndjekin festivalin do të kuptojnë që niveli i këtij viti është absolut. Kemi pasur konkurrentë që kanë kërkuar me ngulm të jenë pjesë, por viti tjetër vjen shumë shpejt dhe nuk ka më pauza”,

tha Klejvis Saliaj.

“Kanë filluar emocionet. Për mua është një përvojë krejtësisht e re edhe mënyra se u propozua ishte diçka e re. Ndihem mirë që m’u besua dhe kjo falë Zana Çelës, e cila e ka krijuar këtë produksion që vijon sjell talente, të cilët vlerësohen në mënyrë ndërkombëtare nga një juri prestigjioze. Gjithashtu ka emra aq të mirë që kanë performuar në skenat më të mëdha ndërkombëtare dhe sërish kërkojnë çmimin “Marie Kraja” dhe kjo është gjë shumë e bukur. Është sfidë për mua. Do të zgjasë dy net, por për jurinë do të zgjasë tre ditë, sepse do të përballet me të gjithë konkurrentët, që më të mirët të kalojnë në natën finale”,

tha Orinda Huta.

/tvklan.al