Kapiteni i Anglisë nuk iu përgjigj thirrjes së klubit, presion për të ikur te City

Sulmuesi i Totenhemit Harry Kane nuk u paraqit në stërvitje në mëngjesin e së hënës, pasi përfundoi pushimet.

Kapiteni i Anglisë kërkohet nga Manchester City dhe klubi i Totenhemit e kishte lajmëruar që të paraqitej, për të bërë testet anti-covid e për të nisur përgatitjet para-sezonale.

Por me këtë veprim, sipas mediave angleze Kane po tregon qartë se ai dëshiron që të bashkohet me skuadrën e “qytetarëve”, e me mospraninë e tij synon që të vërë nën presion Presidentin Daniel Levi, që ta lërë atë të ikë.

Midis të dyve ka një marrëveshje xhentëlmenësh dhe Kane kërkon që ajo të vihet në zbatim.

Sulmuesi anglez ka edhe tri vite kontratë me Totenhemin, ndërkohë që Levi e ka bërë të qartë se ai do ta lërë të lirë futbollistin nëse në arkat e klubit do të derdhen 150 milionë paund.

Por në klubin londinez do të përpiqen me çdo kusht që ta mbajë kapitenin e Anglisë.

Kane dëshiron një skuadër të re, ku ai të ketë mundësi të fitojë trofe, ndërsa te Totenhemi pavarësisht arritjeve individuale, trofe të rëndësishëm nuk janë fituar.

Klan News