Kreu demokrat takohet me banorët e Qerretit

Kreu i demokratëve Lulzim Basha është ndalur në Qerret të Durrësit për të parë nga afër dhe dëgjuar shqetësimet e banorëve të prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Pronarët e shtëpive të dëmtuar ankohen për inspektimin që iu është bërë duke pretenduar se janë të pasaktë. Basha e cilësoi vendimin për t’u futur në shtëpi si kriminale. Ai u kërkoi banorëve të mos strehohen në banesat e dëmtuara.

Banori:Shiko si e kanë bërë. Tjegull tulle. A ka tjegull kjo? Kjo është vetëm me soletë. Nuk e di se çfarë kanë qenë ata ekspertë”!

Lulzim Basha: “Më e rënda nga të gjitha, është se në këtë gjendje ku është kjo shtëpia ju thonë të futeni brenda, por letrën nuk ju a jep. Me një lëkundje kjo bie dhe ju zë brenda, siç ndodhi në Thumanë. Përfaqësuesit e bashkisë apo qeverisë nuk jua japin as me letër dhe thonë se u futën vetë brenda. Kjo është kriminale. Kjo është t’i vrasësh banorët. Ata që i kanë shpëtuar tërmetit t’i vrasë shteti. Kjo është! Gjëja e parë, ju në asnjë mënyrë nuk do të futeni brenda pa marrë një letër nga shteti. Dhe po morët letër nga shteti, do të vijnë ta vërtetojnë me specialistë, jo me nëpunës. Të vijë inxhinieri dhe ta firmosë. Sepse nuk ka inxhinier ta firmosë shtëpinë në këtë gjendje. Inxhinieri që firmos se kjo është e banueshme, shkon në burg. Dhe njerëzit që ju thonë futuni se është e banueshme, pa firmë, edhe ata do të shkojnë në burg. Edhe ata që ju thonë dhe i mësojnë që t’u thonë banorëve futuni në banesa të shkatërruara, edhe ata duhet të shkojnë në burg, nga i pari tek i fundit”.

Qarku i Durrësit është më i dëmtuari nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Tv Klan