Arrestohen 6 persona që penguan ndalimin e Abedin Oruçit

Ish-kryetari i Qarkut të Kukësit, Abedin Oruçi është përplasur me policinë kur këta të fundit shkuan për ta arrestuar. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në lokalin në pronësi të tij në Kukës.

Oruçi ishte shpallur në kërkim në muajin Tetor 2020 për ndërtim pa leje, kanosje për shkak të detyrës dhe kundërshtim të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore.

Por teksa uniformat blu shkuan për ta arrestuar, Oruçi dhe persona të afërm të tij u përplasën me forcat policore.

Të afërmit e ish-kreut të Qarkut Kukës u konfrontuan fizikisht me policinë, ndërsa vetë Abedin Oruçi i kërcënoi me armë. Më pas mundi të largohej dhe të arratisej..

Për këtë ngjarje u arrestuan 6 persona. Ata janë E. O., 32 vjeç, G. O., 34 vjeç, B. M., 35 vjeç, E. M., 18 vjeç, Z. Sh., 19 vjeç dhe B. D., 48 vjeç, banues në Kukës, të cilët akuzohen për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” kryer në bashkëpunim dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Ndërsa në gjendje të lirë për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë, u proceduan 5 të tjerë; R. S., 22 vjeç, A. S., 18 vjeç, G. O., 50 vjeç, I. O., 28 vjeç dhe R. S., 21 vjeç, banues në fshatin Mamez dhe në Kukës.

Abedin Oruçi është shpallur sërish në kërkim, së bashku me P.O. 46 vjeç. /tvklan.al