Rama: 160 apartamentet e para gati në Mars

160 apartamente të reja, pjesë e njërit prej blloqeve të pallateve që po ndërtohen falë donacioneve të qeverisë turke në zonën e Laçit do të jenë gati për familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit brenda muajit Mars.

Punimet që kanë nisur tashmë në lagjen e re që po rindërtohet i pa nga afër Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.

Projekti i rindërtimit në këtë zonë, një ndër më të prekurat nga tërmeti përfshin edhe objektet arsimore, si dhe spitalin e qytetit, prokurimi për të cilin nis brenda 10 ditëve.

Gjatë vizitës në Laç, Kryeministri Rama pa edhe punimet që kanë nisur për rindërtimin e shkollës nëntëvjeçare “Dan Bajrami” që pritet të hapë dyert për 440 nxënësit e saj brenda muajit Nëntor.

Kjo shkollë është pjesë e projektit për rindërtimin, pas prishjes që shkaktoi tërmeti tragjik i 26 Nëntorit. Shkolla nëntëvjeçare “Dan Bajrami” do të ketë në brendësi të saj edhe një kopësht. Ajo ka 15 klasa të reja, 4 laboratorë, një palestër dhe terrene sportive.

Tv Klan