Urdhrat e ndryshëm të policisë shkaktojnë konfuzion

Kaos me autorizimet për lëvizjen e automjeteve private në Shqipëri. Është ajo që po ndodh këto ditë të kufizimit të qarkullimit në të gjithë territorin. Kjo, për shkak të urdhrave të ndryshëm që po dalin ditë për ditë, madje edhe brenda një dite, nga Drejtoria e Përgjithshme e Qarkullimit Rrugor në Policinë e Shtetit.

Kompanive private, që e kanë të domosdoshme për të lëvizur, si ato të prodhimit, të shitjes së produkteve ushqimore, apo spitale private, iu kërkua fillimisht të dorëzojnë një kërkesë me shkrim.

Më pas ky urdhër u rrëzua me një të dytë, sipas të cilit, kërkesat duhet të dërgoheshin me e-mail. U tha gjithashtu që automjetet që kanë logo të kompanive që nevojitet të mos e ndalojnë punën, për t’u shërbyer qytetarëve në këtë situatë, nuk do të ndalohen nga policia rrugore.

Por edhe kur procedura ndiqet me përpikmëri nga kompani e qytetarë, në terren policia rrugore vepron ndryshe, duke ndaluar edhe mjetet me logo dhe duke aplikuar gjoba ndaj tyre.

Gjoba po u vihen po ashtu edhe atyre qindra njësive tregtare e qytetarëve që kanë bërë kërkesën prej ditësh, por që policia nuk e ka vënë ujin në zjarr për t’u kthyer përgjigje.

Në këtë mënyrë, policia rrugore në gjithë vendin, duket se po e përdor situatën e krijuar nga koronavirusi për të mbushur arkën.

Në Televizionin Klan janë me dhjetra ankesa të qytetarëve që thonë se Drejtori i Pergjithshëm i Policisë Rrugore, Edmon Targaj, nuk u kthen përgjigje kërkesave të tyre me e–mail apo në rrugë të tjera zyrtare.

Radha nëpër drejtoritë e policisë për të marrë një autorizim është e gjatë.

Nga ana tjetër, ka denoncime nga qytetarët, se po me urdhër të drejtuesve të lartë të rrugores, u janë dhënë leje personave që nuk i plotësojnë kriteret e vendosura nga qeveria për lëvizjen në këtë periudhë kufizimi të qarkullimit, duke e shtuar në këtë mënyrë konfuzionin.  

Tv Klan