Presidenti Thaçi publikon letrën që ia ka dërguar Presidentit Tramp. Haradinaj i shkruan vendeve të Quintit. Ndësa Veseli kërkon suspendim të taksave. Opozita me kërkesa të tjera.

Tre udhëheqësit e institucioneve kryesore të Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i kuvendit Kadri Veseli, nuk duket se janë unik për qasjen e Kosovës në dialog me Serbinë, ndonëse të tre kërkojnë që SHBA-ja të jetë e përfshirë në këtë dialog. Vetëm në këtë javë, Thaçi, Haradinaj dhe Veseli, publikuan tri letra të ndara, ku secili paraqet pikëpamjet e veta lidhur me kërkesën e faktorit ndërkombëtar për ta hequr taksën ndaj Serbisë në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut për një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi.

Thaçi i shkruan Trumpit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, publikoi një letër me përgjigjen që ia ktheu Presidentit të SHBA-së, Donald Tramp, ku thotë se ai “e ka siguruar Presidentin Tramp se Kosova do ta kryejë pjesën e saj të punës dhe do ta ndjekë thirrjen e tij në letrën e dhjetorit, që Kosova të flasë me një zë gjatë bisedimeve për paqe”.

“Më lejoni t’ju ofroj garancitë e mia personale se si President i Kosovës do të jem i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëj kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar, që do të përfshijë të gjitha çështjet e hapura, duke i dhënë kështu fund konfliktit shekullor me Serbinë”, shkruan Presidenti Thaçi.

Sipas tij, marrëveshja e arritur nuk do të jetë paqe e përkohshme, apo konflikt i ngrirë, por paqe e përhershme. “Ne po mundohemi të dalim nga ky qark dhe të arrijmë një marrëveshje permanente në të cilën të dyja palët e njohin njëra-tjetrën dhe heqin dorë nga konflikti dhe që nënkupton që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara. Një arritje e tillë historike kërkon angazhim maksimal nga të dyja palët. Unë zotohem se do të kryej pjesën time të punës”, shkruan Thaçi.

Haradinaj: Jepni tokë ose një republikë…

Por, kryeministri Ramush Haradinaj, lidhur me mundësinë e arritjes së ndonjë marrëveshjeje eventuale me Serbinë, tha se “bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht ka kërkuar nga Kosova të japë tokë në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia”. “Kanë kërkuar që të jepet tokë. Kanë kërkuar veriun e Kosovës, ku janë minierat, është pasuria. Sot, nuk kryejnë shumë punë, por ndoshta në të ardhmen, janë shumë jetike për Kosovën. Ose është tjetra. Na është thënë se nëse nuk jepni tokë, jepeni një republikë brenda Republikës”, tha Ramush Haradinaj në një akademi përkujtimore.

Dy ditë më parë dhe pa u konsultuar fare me Presidentin Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj, u dërgoi një letër vendeve të QUINT-it dhe SHBA-së, ku ka vënë disa kushte që duhen plotësuar në mënyrë që qeveria e tij ta heqë taksën ndaj produkteve serbe, e cila do të mundësonte rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi. Ai kërkoi nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, “iniciimin dhe mbështetjen e një konference ndërkombëtare, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“SHBA dhe BE të japin zotime publike dhe të garantojnë që në konferencë, mes të tjerash, nuk do të ketë çfarëdo rivendosjeje të kufijve ekzistues të Kosovës, ose ndarje të Kosovës, ose shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre”. Kjo kërkesë e kryeministrit kosovar është një nga 5 kushtet, të cilat ai i renditi në dokumentin, të cilin, ua ka dërguar ambasadorëve të SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe përfaqësuesve të BE-së në Kosovë.

Veseli kërkon suspendim me kushte

Në anën tjetër, ishte kryetari i kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ai i cili pas një takimi që zhvilloi me ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnet, propozoi që taksa ndaj produkteve serbe të suspendohet me kushte për 120 ditë në mënyrë që Serbia të reflektojë. Kadri Veseli, tha se “shqetësimet serioze, të shprehura në deklaratën e fundit të Ambasadës Amerikane, si vazhdimësi e letrës së Presidentit Trump, por edhe qëndrimin konsistent amerikan në lidhje me zhvillimet e fundit në vendin tonë, i marrim me seriozitetin më të madh dhe do t’iu përgjigjemi në mënyrë konstruktive”.

“Në takimin e javës së kaluar kam dhënë një propozim konkret, të cilit i qëndroj deri në fund. Taksa doganore nuk duhet të hiqet, por ajo duhet të pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj. Dhe nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnje-Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon, por edhe vendimet e tjera që me automatizëm dërgojnë në reciprocitet të plotë me këto dy vende”, shprehet kryetari i kuvendit Kadri Veseli.

LDK akuzon Haradinajn

Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, akuzon qeverinë Haradinaj duke thënë se “është në prag të prishjes së raporteve me SHBA-në. Kështu thotë Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të LDK-së.

“Kosova në prag të prishjes së marrëdhënieve miqësore me SHBA. Kryeministri në largim deklaron se kjo nuk është problem. Lajme të tilla nuk duhet të prodhohen në Kosovë. Ne duhet të prodhojmë lajme për investitorë të huaj që investojnë në Kosovë, për arritje në diplomaci, për përmirësim të jetës së qytetarëve dhe lajme për plotësim të kërkesave për integrim evropian”, thotë shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti.

VV paralajmëron protesta

Ndërsa udhëheqësi tjetër i opozitës nga Lëvizja Vetëvendosja, Albin Kurti, ka paralajmëruar protesta të reja në Kosovë nëse, siç u shpreh në parlament, ”Presidenti Thaçi nuk ndalet nga ideja për prekjen e territorit të Kosovës”. “Qytetarët nuk do të lejojnë asnjëherë që të preket territori i Kosovës dhe të negociohet mbi sovranitetin e vendit”, u shpreh Kurti.

Serbia nuk pranon që ta rinisë dialogun me Kosovën, përderisa Prishtina zyrtare nuk e heq taksën ndaj prodhimeve serbe. Presidenti Vuçiq, thotë se ai është i gatshëm për kompromis me Kosovën.

Analistët akuzojnë politikanët

Analistët politikë thonë se mos-unifikimi i skenës politike kosovare, ka bërë që Serbia të fitojë terren dhe të bindë një pjesë të faktorit ndërkombëtar që çështja e Kosovës akoma nuk është zgjidhur, edhe pse Kosova më 17 shkurt të vitit 2008 shpalli pavarësinë e saj nga Serbia. Blerim Burjani analist politik, i tha DW-së, se “konfuzioni për dialogun dhe opsionet e zgjidhjes së çështjes së normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, është krijuar në fillim me lojëra me terminologji shkëmbim dhe korrigjim kufijsh”.

“Kjo ka krijuar një rezistencë të fuqishme të hapjes së debatit për tema të ndjeshme që atakon interesat e shteteve edhe në BE. Kritika ka ardhur nga Gjermania, përkatësisht kancelarja Angela Merkel, dhe qendrimi i kundërt i SHBA për hapje debati dhe me qëndrime të hapura për palët nëse arrijnë ato një zgjidhje”, thotë Burjani. Sipas tij, tre udhëheqësit kryesorë politik duhet ta ndërtojnë një qëndrim unik që flitet në emër të Kosovës.

“Duhet të përkrahet në këtë kontekst qëndrimi i SHBA për zgjidhje të balancuar. Nëse të tre (Thaçi, Haradinaj dhe Veseli) kanë dilema me veten e tyre, atëherë nuk mund të kenë dilema ndaj mikut të Kosovës, SHBA-së që është garantuese e pavarësisë së Kosovës, themelimit të ushtrisë dhe forcimit të shtetit të Kosovës”, thotë Blerim Burjani./DW