Pacientët po marrin oksigjen nëpër makina

Dyndja e të infektuarve me koronavirus ka ezauruar kapacitetet në sallat e terapive intensive në spitalin e Napolit. Pacientët në gjendje të rënduar janë të detyruar të marrin oksigjen, duke qëndruar në radhë me automjetet e tyre jashtë oborrit të spitalit.

Gjithçka ka ndodhur në oborrin e spitalit të Napolit, atje ku pacientët me koronavirus trajtohen me oksigjen në automjetet e tyre, që kanë krijuar këtë varg të gjatë.

Kjo ndodh për shkak se spitali është në kolaps, pasi ka ezauruar të gjitha kapacitetet për shtrimin e pacientëve, ndërsa me qindra të infektuar të rinj vijojnë të dynden çdo ditë për të kërkuar trajtim shëndetësor në këtë spital.

Stafi i spitalit po përballet me vështirësi të theksuara. Mes pacientëve, ka nga ata që qëndrojnë në pritje deri në 24 orë për të marrë shërbim. 

Ka radhë të gjata pritjeje. Ka nga ata që presin në makinë edhe 24 orë. Po bëjmë maksimumin për t’i ndihmuar të gjithë edhe pse e kemi shumë të vështirë”.

Si ky spital, janë të shumtë në gjithë Italinë që ditët e fundit kanë ezauruar kapacitetet. Vendi po përballet edhe me mungesë të stafit mjekësor, pasi për 11 mijë shtretër të terapive intensive në shkallë kombëtare, anestezistë ka për t’i shërbyer vetëm 5 mijë pacientëve. Aktualisht, të zënë janë mbi 2800 shtretër.

Qeveria italiane po përpiqet të mos shpallë karantinën kombëtare që do të përbënte një tjetër goditje të fortë për ekonominë, pas asaj të periudhës Mars-Maj. Megjithatë duket se karantina rajonale nuk po jep rezultatet e pritshme.

Tv Klan