Dhuna dhe kaosi që ka përfshirë Venezuelën ditët e fundit kanë përplasur Uashingtonin dhe Moskën. Sekretari amerikan i shtetit Majk Pompeo nuk përjashtoi mundësinë e ndërhyrjes ushtarake për të ndalur dhunën e forcave të Maduros kundër popullit.

“Ndërhyrja ushtarake është e mundshme dhe Shtetet e Bashkuara do t’a bëjnë këtë gjë. Po bëjmë çdo gjë që mundemi për të shmangur dhunën. Ne preferojmë një tranzicion paqësor pushteti, në të cilin Maduro të largohet dhe të mbahen zgjedhje të lira. Por nëse do arrihet deri tek nevoja e ndërhyrjes ushtarake, presidenti Tramp është gati të japë urdhër”.

I shqetësuar për këtë deklaratë të kryediplomatit amerikan, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov komunikoi me të në telefon. Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme ruse thuhet se Lavrov kërkoi që Uashingtoni të mos përzihet në punët e brendshme të një shteti sovran, pasi kjo do të kishte pasoja tepër serioze.

Presidenti majtist venezuelian Nikolas Maduro i njoftoi mesnatën mes të martës dhe të mërkurës se i kishte rezistuar tentativës së opozitës për t’a rrëzuar nga pushteti. Ai akuzoi kundërshtarët për grusht shteti. Ushtria venezueliane reagoi ashpër ndaj mbështetësve të opozitës dhe disa trupave ushtarake që u bashkuan me t’a, në përpjekjet për të rrëzuar qeverinë pas thirrjes së liderit të opozitës Huan Guaido. Nga përplasjet u plagosën mbi 70 persona.

Tv Klan