“Fajësimi i qytetarëve dhe i Greqisë, i pakuptimtë”

I sapokthyer nga Himara, disa orë pasi situata në të dy pikat kufitare me Greqinë ishte normalizuar, Presidenti i Republikës doli në një konferencë për shtyp, ku drejtoi gishtin nga qeveria si e vetmja përgjegjëse për që përjetuan ata qindra shtetas shqiptarë duke qëndruar në radhë me ditë për të kaluar kufirin.

“Çdo përpjekje për të fajësuar palën greke është pa kuptim. Ne e dimë që grekët e bëjnë detyrën e tyre në mënyrë të jashtëzakonshme. Ishte dhe është përgjegjësi e plotë e shtetit shqiptar, përfshirë dhe presidentin, por në mënyrë të veçantë e qeverisë shqiptare. Kryeministri ka përgjegjësinë edhe si kryeministër, por edhe si ministër i Jashtëm. Ne e dimë shumë mirë kur është frekuenca më e lartë e qarkullimit të qytetarëve, ndaj nuk duhej krijuar kjo situatë e jashtëzakonshme”.

Vetë thotë se ka bërë çdo përpjekje për tejkalimin e situatës, por pa e mediatizuar.

Të njëjtën përpjekje thotë se ka bërë dhe për të komunikuar me qeverinë shqiptare edhe pse e fajëson për të kundërtën për rastin e ndryshimeve në ambasadën tonë në Athinë ku u shkarkua ambasadorja, dhe Presidenti ende nuk është shprehur për zëvendësuesen e saj.

Përdor ironinë për të treguar se autoritetet qeveritare e dinë shumë mirë se në çfarë periudhash pikat kufitare me Greqinë kanë pikun e ngarkesës.

“Nga dita e nesërme do i çoj një kalendar qeverisë sipas vlerësimit të institucionit tonë për të parandaluar raste të tilla, duke pasur parasysh frekuencën e kalimit në kufi, që nga Pashkët, Krishtlindjet, Viti i Ri, kohën kur vijnë në pushime dhe kur largohen që të mbajnë punën atje”.

Pyetjet që lë pa përgjigje janë ato që kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese që pasi u miratuan në Parlament, vetë kreu i shtetit pati deklaruar se ishin një ftesë që Edi Rama i bënte popullit shqiptar në një përballje historike e që ai dhe shqiptarët do t’i përgjigjeshin deri në fund.

Tv Klan