Një këngë e kënduar nga Elseid Hysaj përpara shokëve të tij e futi atë në polemika që nuk do t’ia kishte marrë mendja kurrë. Të shtunën në mbrëmje ekipi i Lazio-s kishte dalë për darkë pas stërvitjes dhe siç e do tradita, mbrojtësi kuqezi bëri prezantimin me këngën “Bella Ciao”.

Kjo është një ndër meloditë më popullore italiane dhe ka motive partizane, e gjithashtu kolonë zanore e serialit të njohur “La Casa del Papel”.

Shokët e ekipit e hodhën në rrjetet sociale performancën e Hysajt, por disa prej tifozëve, me bindje politike të ndryshme nga mesazhi që kënga përcjell u inatosën dhe u nisën për te lokali ku ekipi po darkonte.

Por Hysaj gjendej në hotel, e ata u drejtuan aty. Situata u qetësua pas ndërhyrjes së drejtorit sportiv Igli Tare, si edhe të policisë italiane. Një pjesë e tifozerisë laciale identifikohet me grupime që kanë prirje të së djathtës ekstreme.

Rasti është mbyllur, ndërsa videoja nuk gjendet më në rrjetet sociale. Klubi i Lazio-s në një reagim zyrtar informoi se kënga u këndua në një ambient miqësor, e nuk përmban motiv politik.

Klan News