RENEA arreston Ilir Berberin, organizatorin e ngjarjes

Ky është një prej personave të arrestuar mëngjesin e kësaj të mërkure nga RENEA dhe policia e Pogradecit për sulmin me armë ndaj hotelit Voloreka në pronësi të Jetmir Muçllarit të shtunën e shkuar. Siç shihet në këtë video të fiksuar nga kamerat e sigurisë, i maskuar, me breshëri automatiku autori qëllon fillimisht drejt hotelit e më pas ndaj makinave të parkuara.

Pas arrestimit katër ditë më parë të Mariglen Topuzit, në pranga kanë rënë edhe 4 persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Ilir Berberi, 54 vjeç, person me precedent të theksuar kriminal, dhe bashkëpunëtorët e tij Ilir Meçolli dhe Ardian Xhuti përkatësisht, 29 vjeç dhe Elvir Haxhia, 32 vjeç u arrestuan në pyllin e fshatit Vërdovë në Pogradec, në një çadër që e kishin ngritur enkas për t’u strehuar, teksa mbeten në kërkim edhe dy të dyshuar të tjerë, Meardi Berberi dhe Brian Syzo.

Këta persona janë të dyshuar edhe si autorë të ngjarjes së ndodhur më 1 Gusht sërish pranë hotel Volorekës, ku persona të maskuar qëlluan me armë në ajër. Në momentin e arrestimit, Ilir Berberi, organizator i kësaj ngjarje kishte me vete edhe një pistoletë me 59 fishekë. Ndaj tij, Gjykata e Pogradecit ka dhënë më parë masën e arrestit me burg për një sërë veprash penale që lidhen një tjetër ngjarje të ndodhur në Shkurt të këtij viti ku ai nuk lejoi Jetmir Muçllarin të dëshmonte në një proces gjyqësor.

Mëngjesin e kësaj të mërkure u mbajt seanca e gjykimit me dyer të mbyllura për të arrestuarin e parë, Mariglen Topuzin. Ndonëse avokati i tij, Nevzat Tarelli, kërkoi lirim të menjëhershëm, me pretendimin se ekzistojnë prova dhe pamje filmike që tregojnë se në orën kur ka ndodhur ngjarja Topuzi ka qenë diku tjetër, Gjykata e Pogradecit vendosi për të arrest me burg për 30 ditë.

Tv Klan