Një sasi rekord kokaine është sekuestruar nga autoritetet italiane në provincën e Agrigento, në Siçili. Guardia di Finanza në koordinim me Antimafian e Palermos, interceptuan dhe bllokuan një peshkarexhë, në bordin e së cilën u gjetën mbi 5 ton kokainë. Bëhet fjalë për sasinë më të madhe të kokainës, të sekuestruar ndonjëherë më parë në këtë vend.

Sipas një njoftimi zyrtar të Guardia di Finanza në pranga u vu ekuipazhi i peshkarexhës “Ferdinando d’Aragona”. Bëhet fjalë për 5 persona, një shqiptar, një italian, dy tunizianë dhe një francez.

Të arrestuarit janë shqiptari Elvis Lleshaj, 35 vjeç, italiani Vincenzo Catalano, 35 vjeç, tunizianët Kamel Thamlaoui, 53 vjeç dhe Sami Mejri, 48 vjeç, si dhe francezi Yanis Malik Bargas, 19 vjeç.

Në total sasia e kokainës së kapur, që ishte nisur nga Kalabria, është mbi 5.3 ton, me një vlerë prej gati 1 miliard eurosh.



Detaje nga operacioni

Në operacion u angazhuan disa mjete ajrore e detare. Gjithçka u vu në lëvizje mbrëmjen e së martës, kur një avion vëzhgues i pozicionuar në kanalin e Siçilisë dhe i angazhuar prej disa ditësh në monitorimin e një anije tregtare me flamur të Palau, e konsideruar si “anija mëmë”, dalloi afrimin drejt saj të një peshkarexhe që ishte nisur nga brigjet kalabreze.

Trafikantët nuk e dinin që ishin nën vëzhgim.

Kështu, gjatë orëve të para të së mërkurës u vunë re se në kuvertën e “anijes mëmë”, e cila ishte pozicionuar në kufijtë e ujërave territorialë, ishin grumbulluar pako të shumta, të cilat u hodhën në det në momentin që u afrua peshkarexha.

Në këtë pikë u aktivizua ndërhyrja e autoriteteve italiane që bllokuan peshkarexhën, në momentin kur kthehej drejt ujërave territorialë dhe zbuluan edhe sasinë e madhe të drogës.

Njëkohësisht, një njësi detare e policisë u vu në ndjekje të anijes tregtare, e cila po përpiqej pa sukses që të largohej në drejtim të Turqisë. Brenda kësaj anije ndodheshin 15 persona, me kombësi ukrainase, turke e azere, të cilët po ashtu u ndaluan nga policia italiane./tvklan.al