Plot 613 kilogramë kanabis u sekuestruan nga autoritetet policore në Kurbin, sasi e cila do të trafikohej me gomone. Në pranga përfunduan 2 persona, të cilëve iu gjet gjithashtu një armë gjahu. Të arrestuarit janë S. Z., 60 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Kurbin dhe R. S., 28 vjeç, banues në fshatin Thumanë.

“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur “Godull”, Kurbin, në një ambient në pronësi të shtetasit S. Z., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 613 kg lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa, si dhe në një ambient tjetër, po në pronësi të këtij shtetasi, gjetën dhe një gomone. Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. Z., është gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu dhe 13 fishekë. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin do trafikonin lëndën narkotike”, thotë policia në një njoftim për mediat.

Puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, vijon./tvklan.al