Ky është momenti kur dy grabitësit Vladimir Kurti dhe Rushdi Hodo, tashme te arrestuar nga policia, hyjnë në marketin e Agim Bucit. I pari, Kurti, mban në dorë një pistoletë. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar edhe momentin kur ai e mbush armën me të cilën qëlloi 53-vjeçarin Buci dhe gruan e tij. Personi që vjen pas, Rushdi Hodo, është i armatosur me thikë.

U kapën të dy në shtëpitë e tyre, në rrugën Besëlidhja në Kamëz dhe në fshatin Çekrez. Fillimisht ata u shoqëruan të dyshuar, për shkak se njiheshin si kontigjent kriminal dhe më pas u lanë të lirë për efekt të hetimit. Por mbrëmjen e së enjtes ata u shoqëruan sërish dhe u arrestuan.

Dy të arrestuarit mësohet se kanë pranuar vrasjen. Ai që ka qëlluar me armë ka qene Vladimir Kurti. I riu me origjinë nga Burreli ishte arrestuar në vitin 2010 për grabitjen e një taksisti dhe u dënua me 3 vjet e gjysmë burg.

Pas krimit autorët u larguan me makinë “Volkswagen”, e bllokuar nga policia, se bashku me rrobat e përdorura për grabitje, në të cilat ka ende gjurmë gjaku.

Pistoletën e krimit autorët besohet se e hodhën në shtratin e lumit Tërkuzë, bashkë me rrobat dhe dorezat e përdorura. Kamera e Tv Klan fiksoi pamje nga momenti i kërkimeve të Policisë së Tiranës në lumin Tërkuzë.

Policia ka kryer kontrolle edhe në banesat e të dyshuarve.

Vladimir Kurti që është edhe i dyshuari, banon vetëm 1 kilometër nga banesa e Agim Bucit. Sipas policisë, autorët dyshohet se e njihnin mirë dyqanin që grabitën.

Nga pamjet filmike të kameras së sigurisë dhe dëshmitë e dy të arrestuarve, policia zbardhi edhe dinamikën e ngjarjes.

Vladimir Kurti ka qëlluar në fillim Merita Bucin, pasi ka larguar më parë fëmijën e saj 6 vjeç nga arka.

Më pas është përleshur me Agim Bucin. 52-vjeçari është përleshur me të, por ai e ka qëlluar me pistoletë pasi ishte vënë poshtë. Bashkëshortja e viktimës ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Tv Klan