Sërish drogë në kontejnerët e firmës “Alba Exotic Fruit”

Një tjetër sasi prej 6.5 kilogramë drogë e llojit kokainë është kapur pasditen e premtes në portin e Durrësit. Droga ishte fshehur në kontejnerët me banane të ardhura Ekuadori për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, ku 10 ditë më parë u gjetën edhe afro 12 kilogramë të tjera kokainë.

Policia bëri të ditur se task forca permanente e portit të Durrësit në vijim të hetimeve kryera në kuadër të operacionit “Rada” i nisur më datë 13.07.2021, arriti të konstatojë se dy kapakë të njërit prej kontejnerëve ishin të hapur. Kjo shtoi dyshimet se sasi të tjera droge mund të fshiheshin në to.

Ndaj Policia Kufitare, strukturat hetimore të bluve të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit kryen një kontroll të imtësishëm të 10 kontejnerëve të tjerë të kësaj firme.

Si rezultat u gjetën të fshehura 6.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë. Droga ishte e ndarë në disa pako të cilat ishin të ngjitura në kapakët e një kontejneri.

Gjatë fazës së parë të këtij operacioni policia arriti të zbulojë në pjesën e motorit të frigoriferit të një tjetër kontejneri të kësaj forme 11 kilogramë e 675 gramë kokainë e ndarë në 14 pako. Në kuadër të këtij operacioni policia ka arrestuar më parë menaxherin e firmës Bajron Gumeni dhe ka shpallur në kërkim administratorin e saj Eduart Dauti.

Tv Klan