4 është numri i personave të arrestuar për grabitjen e ndodhur mëngjesin e së premtes në rrugën e Barrikadave në Tiranë. Përveç 35-vjeçarit të arrestuar pak pas grabitjes, policia njoftoi këtë të shtunë kapjen e 3 bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët rezultojnë të dënuar më parë për vjedhje, si dhe autorë të një tjetër vjedhjeje me dhunë.

Të arrestuarit janë E. B., 37 vjeç, Xh. D., 23 vjeç, të dy të dënuar më parë për vjedhje, si dhe B. H., 27 vjeç. Të gjithë këta persona janë banues në Tiranë.

Paraditen e së premtes, në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata vodhën me dhunë një sasi parash nga Agron Shima, pronar i një pike të këmbimi valutor.

Policia thotë se ata janë dhe autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më 07 Janar të këtij viti në rrugën “Mine Peza”, ku dy persona të paidentifikuar i vodhën me dhunë çantën një roje, pranë një pike këmbimi valutor.

Autoritetet sekuestruan edhe sendet e përdorura nga këta persona gjatë vjedhjeve, si një motor skuter; kokore; tub metalik; thikë dhe doreza plastike; doreza dhe veshje të përdorura nga autorët; tre aparate celular dhe automjet.

/tvklan.al