The Telegraph shkruan se krerët e dyshuar të një bande që trafikojnë shqiptarë drejt Britanisë me anije të vogla janë arrestuar. Mësohet se këtë të hënë në mëngjes janë kryer disa kontrolle nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA).
Tre persona janë vënë në pranga. Ata dyshohet se fshihen pas kalimeve të rrezikshme për të cilat u faturojnë atyre që marrin riskun përsipër 2500 deri në 7500 Paund.
Sipas medias britanike, dyshohet se ata fshihen pas një kalimi të një anije të vogël të mbimbushur me 46 emigrantë, e cila u kap në Gusht.
“Personat në bord ishin kryesisht shqiptarë, duke përfshirë fëmijë të vegjël dhe një përdhunues të dënuar, i cili më parë ishte dëbuar nga Britania e Madhe dhe tani është deportuar sërish”, shkruan Telegraph.
Pas kësaj, emigrantët u dërguan në një qendër nga oficerët e Kufijve.
Dyshohet se ky grup ka përdorur edhe një kamion tre herë në Tetor dhe Nëntor për të dërguar emigrantë. Skema ishte e thjeshtë. Pasi i kalonin nga Franca, i dërgonin në stacionet e shërbimit në Surrey dhe Essex.
“Në kontrollet e së hënës në mëngjes, një 34-vjeçar nga Grays, Essex dhe një 34-vjeçar nga Dagenham, Londra Lindore, krerët e dyshuar të grupit, u ndaluan mbi dyshimet për ndihmë në emigracionin e paligjshëm”, shkruan Telegraph.
Shoferi i kamionit, një 55-vjeçar nga Belgjika u arrestua kur mjeti i tij u ndalua në Folkestone. Dy persona të tjerë u arrestuan në veri të Londrës mbi dyshimet për hyrje të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.
“Shkatërruam një grup kriminal të organizuar që dyshohet se fshihen pas disa kalimeve të rrezikshme vitin e kaluar. Trafikantët nuk duan t’ia dinë për sigurinë e atyre që transportojnë. Ata kërkojnë t’i shfrytëzojnë për përfitim”, tha Chris Farrimond, drejtues në Agjencinë Kombëtare të Krimit.
Ai u shpreh se trajtimi emigracionit të paligjshëm është një prioritet për NCA.
“Kemi më shumë se 90 hetime në vijim”, tha ai. Bastisjet erdhën pasi Zyra e Brendshme zbuloi se 333 emigrantë arritën me 7 gomone në Mbretërinë e Bashkuar të dielën, duke e çuar totalin për Qershorin në 2,862 dhe për vitin 2023 në 10,521 persona.
Shifrat ngrenë dyshime të mëtejshme mbi pretendimin e kryeministrit britanik Rishi Sunak në fillim të këtij muaji se politikat e tij kundër anijeve të vogla kanë filluar të funksiononin.
Këto numra nënkuptojnë se totali i kalimeve në Qershor është 2,862 persona dhe është tashmë afër tejkalimit të 3,139 personave që kaluan me anije Qershorin e kaluar. Totali i këtij viti është vetëm 11 për qind më i ulët se ai i vitit të kaluar./tvklan.al