Një rast i trafikimit të drogave të forta është goditur nga autoritetet shqiptare këtë të martë. Në prangat e policisë ka rënë një person, ndërkohë që janë sekuestruar 14.3 kilogramë kokainë.

Mësohet se, operacioni për kapjen e 42-vjeçarit Besnik Ruçit është kryer në Muriqan. Pas informacioneve të marra në rrugë operative, autoritetet ndaluan makinën e tij në pikën kufitare për një kontroll më të imtësishëm.

Për të ushtruar një kontroll më të specializuar automjeti është dërguar në Portin e Durrësit ku është bërë një skanim i plotë. Aty policët kanë zbuluar sasinë e konsiderueshme të lëndës narkotike që siç duket në foto ishte e ndarë në disa pako.

Policia po vijon punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në veprimtari kriminale.