Sekuestrohet 7 kg kokainë në portin e Durrësit


Sekuestrohet 7 kg kokainë në portin e Durrësit

15:02 06/08/2021

Arrestohet administratori i një kompanie në Tiranë

Një tjetër sasi kokaine është sekuestruar në portin e Durrësit. Nga kontrollet e ushtruara në një kontejner që kishte mbërritur nga Ekuadori të ngarkuar me prodhime deti u gjetën 7 kilogramë të lëndës narkotike.

Siç duket edhe në këto foto, droga ishte e ndarë në 6 pako dhe ishte fshehur në pjesën e kapakëve të ventilimit e pajisur edhe me GPS me anë të të cilit trafikantët mbanin nën kontroll lëvizjen e drogës. Policia njoftoi se arrestoi 35-vjeçarin nga Tirana, Denis Doda, administrator i kompanisë  “Fish co Tirana” që kishte bërë porosinë e ngarkesës me produkte deti në Ekuador.

Mësohet se ngarkesa kishte disa ditë që kishte mbërritur në portin e Durrësit. Pas një analize të riskut për kontejnerët që vijnë nga Amerika Latine, por edhe nga informacionet që kishte marrë nga Policia Kriminale, Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit vendosi të ushtrojë kontroll me të detajuar në këtë kontejner.

Policia thotë se vijon hetimet për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në këtë rrjet të trafikut të drogës. Vetëm në muajin korrik u zbuluan 3 ngarkesa me kokainë në portin e Durrësit me rreth 26 kilogram kokainë në total të nisur nga Amerika Latine të fshehura nga ngarkesa me banane.

Tv Klan






Të ngjashme