Jamie Foxx ka zbuluar shkakun që e bëri të përfundonte në spital në një gjendje të vështirë shëndetësore. Ai ka rrëfyer se në vitin 2023 pësoi një hemorragji që i shkaktoi një trombozë.
Foxx ka treguar më parë se kishte “kapërcyer ferrin” ndërsa mjekohej në prill 2023, por në komedinë e sapo publikuar në Netflix ka ndarë më shumë detaje.
Aktori, këngëtari dhe komediani tha se u sëmur gjatë xhirimeve të filmit “Back In Action” dhe shkoi te mjeku me “një dhimbje të tmerrshme koke”. Mjeku i bëri një injeksion kortizoni dhe ra në koma.
56-vjeçari tregon se e motra “e kuptoi që diçka nuk shkonte” dhe e dërgoi në Piedmont Hospital në Atlanta. “Ajo s’dinte asgjë për Piedmont Hospital, por kishte një ndjesi sikur atje kishte disa engjëj. Atlanta shpëtoi jetën time”.
Ai shtoi se mjeku i tha së motrës se “po pësonte një hemorragji që i shkaktoi një trombozë” dhe e paralajmëroi: “Nëse nuk ndërhyj tani në kokën e tij, do ta humbasim”.
Foxx iu nënshtrua kirurgjisë ndërsa “motra ime u gjunjëzua jashtë sallës së operacionit dhe u lut gjithë kohën”. Mjekët “nuk e gjetën” origjinën e hemorragjisë.
Ai nuk i kujton 20 ditët e para pas ndërhyrjes, por “më 4 maj u zgjova”, shprehet aktori. “Kur u zgjova, e gjeta veten në karrige me rrota, s’mund të ecja”, ndërsa mjeku e paralajmëroi familjen se ndoshta do të ishte viti më i keq i jetës së tij.
Familja e mbrojti nga vëmendja publike, ndonëse disa herë u vu re që aktori kishte probleme me ecjen. Foxx tha se seancat me një psikiatër e ndihmuan ta përballonte situatën, por edhe të rizbulonte marrëdhënien me Zotin./tvklan.al